Jashtë gare për titull, por në këtë fund sezoni, Atalanta do të luftojë fuqishëm për të blinduar prezencën e tyre në Champions League sezonin e ardhshëm, për këtë del garant kapiteni kuqezi, Berat Gjimshiti. Në një intervistë për mediat italiane, përpara takimit kundër Milan, qendërmbrojtësi theksoi se të gjithë në radhët e Atalantës besojnë te ky objektiv:
“Atalanta ka rifituar besimin”, shprehet Gjimshiti duke iu referuar fitores që ekipi bergamask arriti në javën e fundit kundër Bologna-s. Këtë javë, Atalanta udhëton në transfertën përballë Milanit, një tjetër ndeshje e vështirë që pritet të thotë shumë në lidhje me objektivin Champions, por Gjimshiti nuk e sheh në këtë mënyrë:
“Të dielën kundër Milanit nuk do të jetë përcaktues. Ne nuk bëjmë llogari, thjesht zbresim në fushë për të fituar, kjo është dëshira dhe objektivi ynë”, u shpreh Gjimshiti.
Gasperini kryqëzon gishtat që kapiteni kuqezi të jetë në formën e tij optimale në këtë fund sezoni, edhe pse prej kohësh Gjimshiti po luan me sforco pasi vuan nga një dëmtim në kavilje. Gjashtë javë përpara fundit të sezonit, Atalanta ndodhet në vendin e tretë në kuotën e 61 pikëve, 2 pikë më shumë se Juve dhe plus katër në raport me Bologna-n e vendit të pestë.
()