Nga Kruja, ku zhvilloi një takim me qytetarë dhe sipërmarrës, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ndal te problematikat ekonomike që po përballen bizneset shqiptare, me theks të veçantë te rënia e euros dhe ndikimi i saj në sektorin e eksporteve.
“Vetëm rënia e euros me 35% është katastrofë për eksportuesit. Euron e zhvlerësoi kjo qeveri që toleroi bandat e trafikantët të fusnin para me kontejnerë. Si pasojë, qindra mijëra vende pune janë humbur, dhe shumë ndërmarrje eksporti kanë falimentuar”, tha Berisha.
Ai premtoi krijimin e një bordi të posaçëm pas 12 majit, i cili do të kompensojë zhvlerësimin e euros për eksportuesit, qindarkë për qindarkë.
Berisha vlerësoi punën e sipërmarrësve dhe punëtorëve që, sipas tij, po mbajnë gjallë ekonominë në kushte të vështira: “Përulem me nderim para punës që bëni. Fasoni nuk është industri e botës së tretë, siç thotë Rama, por krenari kombëtare për ne. Prodhimi është punësim, rritje pagash dhe mirëqenie.”
Ai theksoi se programi i Partisë Demokratike synon kthimin e parave te qytetarët përmes taksave, vendosjen e minimumit jetik dhe një pensioni minimal prej 200 eurosh për çdo pensionist.
“Do u kthejmë qytetarëve paratë që i merr shteti. Nuk do të ketë më pension nën 200 euro në Shqipëri. Do vendosim minimumin jetik për çdo qytetar,” shtoi ai.
Në fund, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që më 11 maj të votojnë për një Shqipëri që, sipas tij, punon për biznesin, punëtorët dhe mirëqenien e çdo familjeje shqiptare.