Pasditen e së dielës, hetimet për atentatin mafioz ndaj 64-vjeçarit Gjovalin Prendi në fshatin Pllanë kanë marrë një kthesë të re, teksa një automjet i djegur u gjet në afërsi të fshatit Fushë Gjorm, vetëm 300 metra larg autostradës, pranë një kanali. Dyshohet se ky automjet është përdorur nga autorët për t’u larguar nga vendngjarja.
Grupi hetimor ka marrë mjetin për ekzaminim, por sipas burimeve, brenda automjetit nuk janë gjetur armë apo municione. Land Rover-i është shkrumbuar totalisht, çka vështirëson ndjeshëm përpjekjet për të identifikuar autorët ose për të zbuluar ndonjë gjurmë që mund të çojë në zbulimin e tyre.
Vrasja e Gjovalin Prendit, i cili u qëllua në sy të klientëve në një lokal teksa konsumonte kafe, vjen pas ekzekutimit në Athinë të djalit të tij, Roan Brahimit, i njohur ndryshe si Sidorel Prendi, që dyshohet të ketë lidhje me grupe kriminale dhe me vrasjen e Gentjan Bejtjes në mars të këtij viti.
Ndërsa hetimet vijojnë, policia nuk përjashton asnjë pistë, duke përfshirë dhe larjen e hesapeve mes grupeve rivale kriminale që operojnë në Shqipëri dhe Greqi.