Kryetari i PS-së, Edi Rama, zhvilloi një takim me gratë në Lezhë, ku bëri thirrje për mbështetje në zgjedhjet e 11 majit. Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh se gratë dhe vajzat janë aset kombëtar dhe “kalaja” merret vetëm nga to.
“Mjafton të shohësh pak historinë e bufit, sa herë që vjen ai, nuk vjen për mirë, vjen për keq. Kur kukumjaçkat vijnë, nuk sjellin lajme të mira. Këtu nuk është çështja sa të pëlqen Ulsiu, Pjerini apo Edi Rama, ne kemi skuadrën më të re dhe më të vjetër. Kush do vajza, ka gra.
Për ato që thonë nuk ia jap dot votën PS, mos e voto, por zbrit te lista e PS-së dhe gjej një. Gjej individin. Po kur thonë si t’ia bëj unë se më kanë pushkatuar gjyshin? A thua sikur ia kam pushkatuar unë gjyshin apo Ulsiu.
Ajo që duhet nga ju është të flisni dhe mos i ndaheni rrethit familjar, kunatave sidomos. Mos iu ndahuni shoqeve në punë e në lagje. Duhet të organizoni komplotin më të madh ndaj burrave. Kalaja nga brenda merret vetëm me gra.
U jam shumë mirënjohës që erdhët dhe dëgjuat, edhe për këtë atmosferë të bukur. Siç e kemi mbajtur fjalën, në këtë mandat kemi bërë shumë për Lezhën. Fatin që keni pasur një kryetar bashkie si Pjerini.
Projektet e reja janë akoma më të rëndësishme, sidomos ato të zhvillimit të turizmit. Ti japim vetes kohë. Bashkimi Europian do të vijë këtu. Kjo pasaporta nuk është vetëm dokument udhëtimi, por është status i ri qytetarie, i jep çdo qytetari barazi me europianët. Me besim absolut te gratë dhe vajzat, jam i bindur se do të arrijmë objektivat” – u shpreh Rama.
()