Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, deklaroi në një intervistë për “News24” se opozita po ndjek një strategji të mirëpërcaktuar për zgjedhjet e 11 majit, duke përfshirë edhe ekspertizën e strategut elektoral amerikan Chris LaCivita – i njohur për rolin e tij në fushatën fituese të presidentit amerikan Donald Trump.
Duka, i cili është pjesë e koalicionit të gjerë opozitar me Partinë Demokratike në krye, tha se nuk ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me LaCivitën përveç një takimi prezantues, por vijon të ndjekë linjat që vijnë përmes PD-së dhe që sipas tij janë të orientuara nga strategu amerikan.
“Unë e kam takuar LaCivitën një herë, gjatë prezantimit të tij. Ai u prezantua si strateg elektoral. Nuk kam pasur ndonjë kontakt të drejtpërdrejtë me të, por përmes PD-së kemi marrë orientime për linjat që duhet të ndjekim në fushatë,” tha Duka.
Ai shtoi se kohët e fundit, në përputhje me këto këshilla, opozita ka nisur të paraqitet në mënyrë të bashkuar në tribuna të ndryshme, për të forcuar mesazhin e koalicionit dhe për të zgjeruar bazën elektorale.
“Besoj se njohuritë dhe informacionet që LaCivita ka marrë përmes PD-së kanë ndikuar në orientimin e saj drejt krijimit të një koalicioni sa më të gjerë. Kjo është në përputhje me objektivin tonë për të fituar zgjedhjet,” përfundoi Duka.