Rreth 12,500 shtetas janë përpunuar në hyrje-dalje, në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës gjatë 24 orëve të fundit, nga të cilët 8,194 në hyrje dhe 4,242 në dalje. Po ashtu, janë regjistruar 3,667 mjete, ku 2,594 kanë hyrë në territorin shqiptar dhe 1,073 kanë dalë.
Sportelet janë të hapura në kapacitet të plotë – 4 në hyrje dhe 3 në dalje nga të dyja palët e kufirit – dhe sipas autoriteteve, nuk janë shënuar radhë, ndonëse fluksi është në rritje në prag të festës së Pashkëve.
Kjo është dita e dytë radhazi që lëvizjet në këtë pikë kufitare kapin shifra mbi 10 mijë, duke e tejkaluar disa herë mesataren ditore prej rreth 3,000 hyrje-daljesh. Për shkak të kthimit të emigrantëve dhe rritjes së vizitave familjare, pritet që fluksi të vijojë të jetë i lartë edhe në ditët në vijim.
Autoritetet kufitare në Kakavijë po punojnë me intensitet për të garantuar një kalim të shpejtë dhe të sigurt për qytetarët.