Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka denoncuar publikisht një rast abuzimi me detyrën nga një punonjës i strukturave të Policisë së Shtetit në fshatin Bradashesh, Elbasan.
Sipas deklaratës së Vangjelit, qytetarë të këtij fshati kanë paraqitur një ankesë ndaj shtetasit me inicialet D. B., i cili akuzohet për bllokimin e hapësirës publike dhe pengimin e tre familjeve që të kalojnë në rrugën që të çon në banesat e tyre. Denoncimi vjen pas një kalvari të gjatë institucionesh dhe vendimesh që, sipas PD, janë shpërfillur nga i njëjti person.
“Tre herë është ndërhyrë për lirimin e rrugës, por përsëri hapësira është ribllokuar. Vendimi i IMT-së së Bashkisë Elbasan i datës 19.09.2020 ka urdhëruar qartësisht prishjen e ndërtimit të paligjshëm, por ai vazhdon të injorohet,” – u shpreh Vangjeli.
Partia Demokratike bën me dije se në dijeni të kësaj çështjeje janë vendosur të gjitha institucionet përkatëse, përfshirë Policinë e Shtetit, Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe Ministrinë e Brendshme. Madje, vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, ka cilësuar shqetësuese veprimet e punonjësit D. B., që sipas tij, dëmtojnë imazhin e institucionit në sytë e qytetarëve.
Në deklaratën për mediat, Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë të marrin masa urgjente për lirimin e hapësirës publike dhe për ndëshkimin e personit përgjegjës. Pamje të publikuara nga banorët tregojnë të moshuar dhe fëmijë të detyruar të kalojnë nëpër përrua për të arritur në shtëpitë e tyre, për shkak të bllokimit të rrugës.
“Qeverisja e Edi Ramës nuk siguron dot as të drejtën më themelore: kalimin në rrugën publike. Qytetarët presin me vite që gjykatat t’u njohin një të drejtë elementare,” përfundoi Vangjeli, duke bërë thirrje për “çlirimin e Shqipërisë nga padrejtësitë”.
“Partia Demokratike do të jetë gjithmonë në shërbim të qytetarëve. Votoni nr. 1.” – përfundon deklarata.