Në një takim të madh elektoral në Kamëz, kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, theksoi dallimin e kësaj force politike nga të tjerat, duke vendosur theksin te përqendrimi në të ardhmen dhe lufta e vërtetë ndaj korrupsionit.
“Ne jemi parti që flasim për të ardhmen. Ne jemi një parti që kemi një plan dhe një projekt. Nuk drejtohemi nga urrejtja dhe nga inati,” deklaroi Shehaj përpara mbështetësve.
Ai kujtoi angazhimin e tij të deritanishëm si deputet, duke nënvizuar se kjo ka qenë vetëm një fillim i asaj që Partia Mundësia synon të bëjë në Parlamentin e ardhshëm.
“Kur e luftojmë korrupsionin e luftojmë realisht, siç e kam luftuar unë në Parlament si askush tjetër aty. Dhe ajo që kam bërë nuk është gjë në krahasim me çfarë do të bëjmë kur të jemi të paktën 10 deputetë në Parlamentin e ardhshëm. Aty do të sjellim ndryshimin e vërtetë. Dhe kështu luftohet korrupsioni në fakt” – u shpreh Shehaj.
Deklaratat e Agron Shehajt vijnë në kuadër të turit elektoral të Partisë Mundësia për zgjedhjet e 11 majit, ku kjo forcë garon për herë të parë dhe mban numrin 10.