Ka startuar mbrëmjen e së shtunës faza play off në NBA dhe nuk kanë munguar rezultatet surprizë. Lakers u mundën në fushën e tyre 117-95 nga Minnesota. Tri lojtarë të skuadrës mike realizuan mbi 20 pikë, duke i bërë të pavlefshme 37 pikët e Doncic për kalifornianët.
Po në Perëndim, ekipi i Denver fitoi 112-110 ndaj Clippers pas kohës shtesë. Një ndeshje e hapur deri në fund, ku për Clippers të gjithë titullarët shënuan mbi 10 pikë, por që s’mjaftoi. Jokic me 29 pikë e Gordon me 25 pikë u dalluan për Denver.
Në Konferencën e Lindjes, skuadra e Indiana fitoi 117-98 ndaj Milwaukee, duke udhëhequr 1-0 serinë. Siakam me 25 pikë ishte lider në fushë për vendasit, ndërsa 36 pikët e 12 rebound të Antetokounmpo për Bucks mbetën për statistikë.
Pa probleme fiton edhe ekipi i New York, që mundi 123-112 Detroit, ndeshje në përgjithësi e komanduar nga vendasit. Jalen Brunson me 34 pikë ishte më i miri për nju-jorkezët, mbështetur edhe nga Towns e Anunoby me nga 23 pikë secili.