Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, përcolli urimet për Pashkët nga Katedralja e Shën Palit në Tiranë, duke vlerësuar festën si një simbol të fitores së jetës mbi vdekjen dhe të dashurisë mbi urrejtjen.
Në një atmosferë të ngrohtë festive, Spiropali theksoi rëndësinë e bashkëjetesës fetare dhe vlerave që bashkojnë shqiptarët në ditë të tilla të shenjta. “Kemi një traditë të bukur që festat i ndajmë bashkë, dhe në këtë atmosferë të gjithë gëzojmë dhe bëhemi bashkë për më shumë mesazhe shprese e bekimesh për të gjithë,” u shpreh ajo.
Duke folur për simbolikën e Pashkëve, Spiropali theksoi: “Pashka është e bekuar sepse simbolizon fitoren e jetës mbi vdekjen, të dritës mbi errësirën dhe të dashurisë mbi urrejtjen. Është një thirrje për të ecur përpara me më shumë dashuri për njëri-tjetrin.”
Ajo dha një mesazh të veçantë për të pamundurit, që në ditë si kjo kërkojnë shpresë për një të ardhme më të mirë, si dhe për politikën shqiptare: “Është një mesazh edhe për ne politikanët, që të kalojmë ndasitë dhe të kontribuojmë për më shumë harmoni dhe shpresë.”
Spiropali vlerësoi gjithashtu harmoninë ndërfetare në Shqipëri si një pasuri kombëtare, duke nënvizuar se në vendin tonë festat fetare janë momente bashkimi që pasqyrojnë vëllazërinë e thellë mes shqiptarëve, pavarësisht bindjeve apo përkatësisë.
“Ky mesazh shkon për të gjithë që janë mbledhur këtu këtë ditë dhe kisha të tjera të Shqipërisë sepse Shqipëria është një vend ku toleranca fetare dhe vëllazëria mes njerëzve është kaq e vërtetë sa pasqyrohet edhe në festat, ku ne si politikanë përtej kaheve festojmë bashkë. Është një mesazh edhe për politikën që të shkojë përtej ndasive të vjetra dhe mesazheve që ndonjëherë helmojnë dhe përçajnë për të dhënë mesazhe shprese”, përfundoi ajo.