Berisha sulmon partitë e vogla: Paterica të Edi Ramës. Asnjë votë për ata që rrahin gjoksin si opozitë e opozitës!

Sali Berisha, lideri i Partisë Demokratike, në ndalesën e radhës në Pukë, ka kritikuar ashpër qeverinë e Edi Ramës dhe ka shpalosur planin e tij për një Shqipëri më të mirë. Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi disa çështje të rëndësishme që ai i sheh si të dëmshme për zhvillimin e vendit.

Ai akuzoi Ramën dhe qeverinë e tij për korrupsion masiv, duke përmendur disa projekte të madhesive që, sipas tij, janë keqpërdorur për pasurimin e grupeve të caktuara, duke përmendur shifra të mëdha parash të humbura nga vjedhjet. Berisha përmendi projekte si tuneli i Llogarasë dhe Unaza e Tiranës, për të argumentuar se shumë investime kanë dështuar për shkak të korrupsionit.

Berisha u shpreh se nuk duhet votuar për partitë që ai i cilëson si “paterica të Edi Ramës” dhe që e shohin veten si opozitë, por që në realitet, i shërbejnë Ramës. Ai ftoi qytetarët të mbështesin “Aleancën e Shqipërisë Madhështore”, duke premtuar për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët.

Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha në Pukë:

Miq, po të mos kishte mercenar Dumanin, Erioni do dukej lule në krahasim me Edi Ramën.

Po, ua them unë ju, prandaj në çdo fjalim, rroftë e qoftë Altin Dumani thërret.

Po le t’ia lëmë ato atij.

Me 11 Maj ndahen dy epoka, ndahen dy morale.

Shikoni si ecën, ka qeverisur 12 vite, nuk mbron dot një projekt, një arritje të tij, sepse çdo arritje e ka të nxirë me vjedhje.

Sepse në tunelin e Llogarasë, me fakte, u vodhën 60 milionë euro.

Sepse rruga që në Kroaci ndërtohet me 1.6 milionë euro, në Shqipëri, Rruga e Arbrit ndërtohet me 11 milionë euro.

Sepse Unaza e Tiranës, 13 kilometra, ndahet në 14 kontrata, për të vjedhur 14 herë dhe ndërtohet me 17 milionë euro kilometri.

Pra për të mbuluar të gjitha ëkto kalon dhe kërkon ta bëjë parodi fushatën elektorale.

Mendon se duke u hedhur shashka të tilla të turpshme shqiptarëve, do mund t’i mashtrojë.

Nuk u thotë asgjë, u përmend vetëm pasaportën evropiane, të cilën ai nuk e arrin kurrë.

Nuk shkohet në Europë me kriminelë si Edi Rama, Taulant Balla, Lubi Balluku, nuk shkohet në Europë me këta.

Në Europë shkohet me vendosjen e shtetit ligjor, me vendosjen e bandave para ligjit.

Nuk shkohet në Europë me Safet Bajrin, me Vis Pojën apo bandat e Elbasanit, etj.

Shkohet me to kur t’i vendosësh para ligjit.

Dhe ua them prapë në Pukë se javën e parë të majit do shpallen grupe terroriste.

Puka Madhështore është Puka, një rreth me prodhime të jashtëzakonshme energjie.

Kaskada është e Pukës. Por tre herë më shumë se kaskada, Puka mund të prodhojë sipas studimeve shkencore, mund të prodhojë me turbinat e erës nga Shëmria gjer në Va të Dejës.

Dy herë më shumë se kaskada mund të prodhojë me të gjitha çatitë e pukjanëve të mbuluara me panele fotovoltaike me financim të shtetit.

Pra, ne do i shndërrojmë në pasuri për qytetarët gjithçka që natyra, Zoti i ka dhënë Pukës dhe Shqipërisë.

Ndaj miqtë e mi, 11 Maji është dita juaj, është ora juaj.

U bëj thirrje të shkoni tek çdo qytetar. Ata që nuk i arrini dot, me telefon, me SMS, me çdo mënyrë, t’ua paraqisni këtë program.

Nuk është program për një parti, nuk është program për Sali Berishën, por është program për çdo shqiptar.

Është një program për Shqipërinë sepse për çdo njeri ky program garanton një mundësi më të madhe.

Për Shqipërinë një mundësi e madhe që bijtë dhe bijat e saj të qëndrojnë në Shqipëri dhe të ndërtojnë ëndrrën këtu.

Për çdo të ri ofron mundësinë e një shkollimi në shkolla shumë më të mira. Hiqet mesatarja, vendoset bursa 200 euro. Kredi pas mbarimit të studimeve për strehimin. Pagesë të sigurimeve shoqërore për çdo të ri për punësimin e tyre.

Për çdo nënë, për çdo motër, një përpjekje e re e madhe për t’i rikthyer ato në piedestalin që meritojnë.

Madhështia e Shqipërisë janë nënat dhe motrat tona, janë gratë tona.

Pukjane të mençura dhe shqiptare të mençura, dëgjojeni se si shkon, kalon nga takimi në takim me një gjuhë që nuk po e them më, por e dini vetë ju, në të cilat përpiqet të denigrojë familjen shqiptare sepse ai mendon se duke denigruar babanë, prindin, bashkëshortin, vëllain, e gëzon nënën, motrën, bashkëshorten.

Nuk ka mendje më perverse se kjo.

Po ky nuk i ka të rastësishme këto. Ky është i atij mentaliteti për të cilin edhe fjala nënë dhe baba duhet të fshihet.

Ky filloi dhe futi në tekstet shkollore Prindi 1 dhe Prindi 2.

Ky solli në parlament ligjin e fermave të grave. Që do të thotë lindin fëmijët e askujt.

Dhe ky tani si për të shkelmuar familjen, ajo thotë, ajo që u nda, është e duhura për ne. Por bashkimi dhe ndarja janë akte të lirisë së njeriut, po ajo që ne e kemi të shenjtë, ajo që ne e kemi djepin tonë të sukseseve, të jetës dhe çdo gjëje është familja.

Sigurisht që është familja.

Atë thirrje të tij nuk e pranon asnjë burrë, asnjë grua.

Po ky njeri, i kapur keq nga ato që ka kryer, përpiqet dhe flet çdo gjë në mënyrë që të mund të mashtrojë dhe të marrë ndonjë votë.

Jam i bindur që nënat, motrat, gratë shqiptare do i japin atij më 11 maj atë që meriton më shumë se kushdo tjetër.

Dhe unë i garantoj ato se do bëjmë gjithçka që fëmijët e tyre të mos largohen nga Shqipëria.

Do bëjmë gjithçka që fëmijët e tyre të rriten të shëndetshëm.

Do paguajmë 70 euro për fëmijën e parë.

Do paguajmë 60 euro për fëmijën e dytë.

Do paguajmë nga lindja gjer 23 vjeç për fëmijën e tretë nga shteti.

Po kur dje më pyeti një qytetar, Sali, po me katër fëmijë ç’do bësh? Katër fëmijë, do paguhet edhe i katërti, edhe i pesti, nga lindja gjer 23 vjeç.

Asnjë votë për partitë që rrahin gjoksin si opozitë e opozitës. Ata janë patericat e Edi Ramës.

A e patë se çfarë ndodhi në Lezhë, dy kandidatë për deputetë të Doshit u tërhoqën, i tërhoqi Rama. I tërhoqi Ulsiu. E thirri Doshin në SPAK, tërhoqi ose do vazhdojmë, Doshi urdhër atyre për t’u tërhequr.

Kurse këta të tjerat i ftova, ta dini. Secili prej jush ta dijë, kam dalë mbi veten, kam dalë për interesat tuaj, i kam ftuar secilin të bashkohemi.

Jo, thanë, se ne jemi opozitë e opozitës. Pra janë patericë e Edi Ramës.

Asnjë votë për ta.

Të gjitha votat për Aleancën e Shqipërisë Madhështore.

Të gjitha votat për veten tuaj, për rrogat tuaja, për pensionet tuaja, për fermat tuaja për fëmijët tuaj, për biznesin tuaj, për Shqipërinë Madhështore.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook