Në sezonin e dytë, me apo pa aleanca, “final-four” arrin të lë gjithçka pezull një javë përpara fundit. Nga vendi i parë, Egnatia, e deri te Laçi i vendit të fundit, 9 nga 10 ekipe janë ende në lojë, përveç Teutës që mbijetoi pas fitores me Tiranën. Egnatia siguroi avantazhin e barazimit në fazën gjysmëfinale, por vendi i parë mbetet ende në diskutim me Vllazninë. Ekipi shkodran lufton për vendin e parë, por në rastin e fundit të blindojnë vendin e dytë. Egnatia luan në transfertë ndaj Teutës, ndërsa Vllaznia pret Laçin.
Dinamo i bashkohet si ekipi i tretë që ka siguruar “final-four”, ndërsa bileta e katërt do të vendoset në sfidën Partizani-Elbasani. Për herë të parë, “demat” dalin nga zona “final-four” dhe i nxjerr pikërisht Elbasani pasi ekipi i Gvozdenovic ka në favor ndeshjet direkte.
Në javën e 36-të, Elbasani udhëton në kryeqytet me këtë avantazh të rëndësishëm, luajnë për dy rezultate, por Gvozdenovic nuk bën këto llogari, premton se ekipi i tij zbret në fushë për të fituar.
Në fakt, Elbasani është ekipi i momentin në Superiore, janë skuadra që kanë mbledhur më shumë pikë, ku vetëm në raport me Partizanin kanë rikuperuar plotë 11 pikë në 11 javët e fundit. Me Kupën në mes, ekipi i Gegës është i detyruar të fitojë sfidën e fundit ndaj Elbasanit për të siguruar një vend në fazën finale të këtij sezoni me ulje ngritje shumë të forta.
()