Kisha katolike në zi, Dom Gjergj Meta: Në të gjitha komunitetet dioqezane dhe famullitare në mbrëmje do mbahen mesha përshpirtjeje për Papa Françeskun

Në emër të Ipeshkvijve të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Dom Gjergj Meta ndau lajmin e hidhur për kalimin në amshim të Atit të Shenjtë, Papa Françesku.

Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë u bëri thirrje të gjithë komuniteteve Dioqezane, famullitare, rregulltare e çdo besimtari që të luten për Papa Françeskun. Po ashtu, duke filluar nga mbrëmja e ditës sotme, të gjitha kishat duhet të mbajnë momente lutjeje dhe përshpirtje.

NJOFTIMI I PLOTË I KONFERENCËS IPESHKVORE TË SHQIPËRISË

Sapo na erdhi lajmi i kalimit në amshim të Atit të Shenjtë, Papa Françesku, i cili u kthye në shtëpinë e Atit sot rreth orës 7:35 të mëngjesit, mendjet dhe zemrat tona iu drejtuan Hyjit të Gjithpushtetshëm në lutje për shpirtin e tij.

Na bien ndërmend muajt e fundit të vuajtjes së tij shëndetësore e në të njëjtën kohë këmbëngulja e tij për të qëndruar pranë popullit të tij si Bari i mirë deri në fund edhe përgjatë këtyre ditëve të Pashkëve. Ditën e Pashkës deshi vetë ai të japë bekimin Urbi et orbi si testamentin e tij të fundit. Ai iku duke na bekuar!

Papa Françesku zgjodhi të vizitojë Shqipërinë më 21 shtator 2014 si vendin e parë Evropian pak pasi ishte zgjedhur në krye të Kishës. Në atë vizitë të gjithë kujtojmë fjalët e tij e më pas përkujdesjen e tij të vazhdueshme për Shqipërinë.

Papa Françesku e udhëhoqi kishën në këto vite nëpërmjet një dëshire të thellë ndryshimi dhe reformash. Ai u bë një zë i fuqishëm në të gjithë botën duke shpallur ungjillin e dashurisë ndaj më të varfërve dhe më të përjashtuarve të shoqërisë. Ai ngriti vazhdimisht zërin kundër luftës, armatimeve dhe shkatërrimit të krijimit.

Me fjalë dhe me vepra e udhëhoqi Kishën katolike drejt një trajte më të përulur, më të thjeshtë e më sinodale. Ne i jemi mirënjohës Hyjit që na dha Papa Françeskun në këto vite dhe i lutemi Hyjit që ta pranojë në banesat e amshuara të Mbretërisë së tij.

Si ipeshkvinj falenderojmë të gjithë ata që në këto momente na gjenden pranë në mënyra e forma të ndryshme. U bëjmë thirrje të gjithë komuniteteve Dioqezane, famullitare, rregulltare e çdo besimtari që të luten për Papa Françeskun. Po ashtu, duke filluar nga mbrëmja e ditës sotshme, të organizohen momente lutjeje dhe përshpirtje në të gjitha komunitetet e besimtarëve dhe këmbanat të bien në shenjë zie duke filluar nga momenti i marrjes së kësaj letre.

Krishti e pastë në parriz Papa Françeskun e i dhashtë dritën e amshuar!

Në emër të Ipeshkëvijve të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë,

+ Gjergj Meta

President i KISH-it

Po ashtu në letër sqarohet se në çdo katedrale dhe kishë këmbanat duhet të bien në shenjë zie.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook