Në momentin më të rëndësishëm të sezonit, Barcelona humbet liderin e sulmit, Robert Lewandowski-n. “Bomberi” polak doli i dëmtuar nga sfida me Celta Vigo-n, ndërsa klubi konfirmoi atë që tifozët i druheshin më shumë, një tërheqje muskulore në këmbën e majtë. Në komunikatën për mediat, klubi blaugrana nuk konfirmoi kohën e rikthimit në fushë, por sipas mediave spanjolle, në varësi edhe si do të shkojë faza e riaftësimit, Leva pritet të mungojë 2-3 javë.
Është e sigurt se Lewnadowski nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Flick për finalen e Kupës së Mbretit në program më 26 prill, gjithashtu e sigurt është se do të mungojë edhe në sfidën e parë kundër Interit me 30 prill, e vlefshme për fazën gjysmëfinale të Champions League. Flick dhe tifozët blaugrana “kryqëzojnë gishtat” që Leva të jetë të paktën në fushë për sfidën e kthimit kundër Inter më 6 maj në “San Siro”.
Lewnadowski po kalonte një formë fantastike këtë sezon ku në 43 ndeshje ka shënuar 40 gola. Polaku ku munguar vetëm 3 ndeshje këtë sezon, por në të tre ndeshjet pa të në fushë ekipi i Flick ka shënuar 15 gola. Jo vetëm mungesa e Levës, atmosfera në shtëpinë e Barcelonës në këtë fund sezoni nuk është shumë e qetë pavarësisht se janë në garë me kohë të plotë për çdo trofe.
Ndeshja me Celta Vigo-n nxori në pah disa probleme. Ansu Fati dhe Ferran Torres shfaqën hapur pakënaqësi me mënyrën se si u trajtuan nga Flick. Ansu Fati bëri nxehje për një kohë të gjatë, por nuk u preferua asnjë minutë, ndërsa i Torres u zëvendësua me fillimin e pjesës së dytë, vendime që nuk u pritën mirë.
()