Nuk ka paqe për Milan, Atalanta mund “Djallin” dhe e largon nga Evropa, Coincecao: Mungesë respekti ndaj meje

Milan nuk gjen dot vazhdimësi në rezultatet pozitive, me skuadrën e Coincecaos që mundet në sfidën e së dielës mbrëma ndaj Atalantës me shifrat 0-1. Pas suksesit të thellë 0-4 1 javë më parë ndaj Udineses, u mendua se kuqezinjtë më në fund lanë pas problematikat që kanë shoqëruar ekipin gjatë gjithë këtij sezoni, por Atalanta risjell makthet në San Siro.

Një pjesë e parë që nuk prodhoi asnjë goditje në portë, ndërkohë e dyta nisi me vendasit që ishin më aktivë ku në 15 minutat e para spostuan lojën drejt gjysmëfushës së bergamaskëve. Por në momentin më të mirë të ndeshjes, kur milanezët po ushtronin presion drejt zhbllokimit të rezultatit, vjen edhe goli i fitores për miqtë. Një aksion mjaft i bukur i bergamaskëve me Lookman që jep një pasim në shtyllën e dytë për Bellanovën dhe ky i fundit me kokë jep një asit perfekt për brazilianin Ederson që nuk e ka të vështirë të çoj topin pas shpinës së Maignan për golin e avantazhit.

Coincecao u përpoq të ndryshonte diçka me zëvendësimet e kryera, por Milan vuajti goditjen e marrë pas golit duke qenë e pafuqishme për të reaguar, duke u mundur kështu 0-1 në San Siro me Evropën që i largohet “Djallit” gjithmonë e më shumë.

I zhgënjyer në përfundim të takimit ishte tekniku portugez i kuqezinjve, Sergio Coincecao i cili komentoi ashpër edhe faktin se ditët e fundit ndaj tij po tregohet mungesë respekti nga mediat, që flasin gjithnjë e më shumë për pasuesin e tij në stolin e Milanit:

“Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, ndërsa në të dytën ishim më agresivë, por nuk patëm fat pasi Atalanta na ndëshkoi në mundësinë e parë që krijoi. E ardhmja ime lidhet me përgatijen e sfidës së kthimit të gjysmëfinales ndaj Interit për të provuar për të fituar Kupën. Nuk e di se prej sa vitesh këtu ky klub nuk ka fituar 2 tituj brenda sezonit. Por që pas suksesit në Superkupë, ju keni folur për trajnerin e ardhshëm tek Milan. Mua nuk më shqetëson, por më duhet të them se kjo është mungesë respekti”.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook