Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale.
Ajo vlerëson figurën e Atit të Shenjtë si një dishepull të përkushtuar të Zotit dhe një zë të fuqishëm në mbrojtje të më të varfërve dhe të margjinalizuarve. Në postimin e saj, Spiropali thekson lidhjen e veçantë që Papa kishte me Shqipërinë dhe shqiptarët, duke përmendur edhe vizitën historike të tij në vendin tonë më 21 shtator 2014.
Ajo kujton gjithashtu me emocion takimin personal me Papën në tetor të vitit 2024, duke e cilësuar si një nga kujtimet më të bukura të jetës së saj. “U prehtë në paqen e Zotit!” – përfundon ajo mesazhin e saj.
Postimi i kryetares së parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali:
Mëngjesin e së Hënës së Engjëllit, përfundoi rrugëtimi tokësor i Papa Françeskut.
Jeta e këtij dishepulli të Jezu Krishtit, iu kushtua shërbimit të Zotit, të Kishës, besimtarëve, njerëzve, bashkëjetesës dhe drejtësisë shoqërore.
Ati i Shenjtë ishte mbrojtës i fuqishëm i më të varfërve, më të dobtëve dhe më të margjinalizuarve, të cilëve u kushtoi gjithë jetën dhe dashurinë e Tij.
Shqipëria dhe shqiptarët kishin një vend të veçantë në zemrën e madhe të Papa Françeskut, të cilën e shfaqi edhe gjatë vizitës në vendin tonë, në 21 shtator 2014, vizita e Tij e parë në një vend europian nga fillimi i Papnisë.
Takimi me Atin e Shenjtë në tetor të vitit 2024 do të mbetet ndër kujtimet më të bukura të jetës sime.
U Prehtë në Paqen e Zotit!”