Gazetari Klajdi Bodlli, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24, ka folur për atentatin e rëndë që ndodhi disa ditë më parë ndaj një automjeti ku udhëtonin katër të rinj, mes tyre dy të mitur, përkatësisht 17 dhe 11 vjeç, të cilët mbetën të plagosur.
Sipas Bodllit, hetimet janë ende në fazën fillestare, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që autorët të kenë ngatërruar shënjestrën ose që motivi të lidhet me dhënien e parave me fajde.
“Janë marrë në pyetje disa persona, por ende nuk është marrë në pyetje babai i dy djemve të mitur që mbetën të plagosur, pasi ndodhet në Itali me njërin prej tyre për trajtim më të specializuar,” u shpreh gazetari.
Ai shtoi se atentatorët kanë qëlluar me armë në një distancë të gjatë, nga ura e Shkozës deri në rrethrrotullimin e unazës në dalje të kryeqytetit.
“Shoferi i automjetit ka tentuar të shmanget duke u drejtuar drejt zonës së Lundrës, ku ndodhej edhe banesa e tyre,” theksoi Bodlli.