Real Madrid mund Bilbaon vetëm në kohën shtesë falë një super goli të mesfushorit Valverde dhe qëndron ende në garë për titullin kampion këtë sezon në La Liga.
“Los Blancos” arkivojnë në këtë mënyrë menjëherë eliminimin nga Champions, teksa rikthhen tek fitoret, kur të dielën në mbrëmje në “Bernabeu” madrilenët triumfuan ndaj një ekipi që po zhvillon deri tani një sezon shumë pozitiv sikundër është Athletic Bilbao. Pjesa e parë ishte e ekuilibruan duke mos prodhuar shumë raste. Ndërkohë fraksioni i dytë nuk ngjasonte aspak me të parën, pasi madrilenët provuan me të gjithë mënyrat për të gjetur golin e avantazhit. Rodrigo, Bellingham, Valverde dhe Vinicius e shndërruan portën e miqve në tabelë qitje, por fati ishte me ekipin bask.
Fati do të ishte me miqtë edhe në minutën e 80 kur Vinicius do të shënonte një gol mjaft të bukur, por VAR do të anulonte gjithçka për një pozicion milimetrik jashtë loje të Endrick në nisje të aksionit.
Megjithatë ekipi i Ancelottit nuk u dorëzua dhe shpërblimi erdhi në kohën shtesë, teksa një perlë e mesfushorit Valverde ndalet në trekëndësh me tifozët në Bernabeu dhe teknikun italian që shpërthyen në festë. Një gol çlirimi ky për Real Madrid, që falë këtyre 3 pikëve ruan disatancën -4 pikë nga kryesuesit e Barcelonës.
I kënaqur për suksesin ishte në përfundim të takimit trajneri i “Los Blancos” Carlo Ancelotti:
“Skuadra bëri një punë të mirë. Në pjesën e parë ishim pak të ngadaltë, por në të dytën treguam karakter duke krijuar shumë raste e duke e merituar suksesin në fund. Valverde ishte njeriu kyç sepse ai realizoi golin e fitores por në tërësi e gjithë skuadra zhvilli një performancë shumë të mirë”.
E pikërisht me golin vendimtar të Valverdes, u hap ditën e sotme edhe e përditshmja spanjolle “Marca”:
“Valverde mban ende gjallë garën në La Liga” shkruhet në faqen e parë.
