Nottingham Forrest arrin të mposht Tottenham në Londër dhe rimerr vendin e 3 në Premier League. Skuadra e Forrest ja doli të marrë maksimumin e pikëve ndaj londinezëve të Tottenham, që sikundër edhe Manchester United po zhvillojnë një sezon tepër zhgënjyes.
Miqtë e zgjidhën sfidën që në fraksionin e parë, teksa shumë shpejtë brenda 11 minutash lojë shënuan dy herë me Anderson dhe Wood, me këtë të fundit madje që realizoi edhe 6 minuta para golit, por VAR anuloi gjithçka për një pozicion jashtë loje. Vendasit shkurtuan diferencën e golave shumë vonë, me Richarlison, por pa mundur dot të shmangin humbjen. Londinezët 5 javë nga fundi e shohin veten shumë poshtë në vendin e 16 me 37 pikë, ndërsa Nottingham ndodhet në garë për një vend në Champions sezonin e ardhshëm, teksa aktualisht ata janë të pozicionuar në vendin e 3 me 60 pikë.
Ndërkohë nëse këtë fundjavë mësuam edhe ekipin e dytë krahas Southampton që është ekipi i Leicester që matematikisht do të zbresin në kategorinë e dytë në Championship, të hënën pas javës së 44 të kësaj kategorie u zyrtarizuan edhe dy skuadrat e para, që duke nisur nga sezoni i ardhshëm do të jenë pjesë e elitës së futbollit anglez. Leeds dhe Burnley pasi siguruan fitoret respektivisht ndaj Stoke 6-0 dhe Shefield United 2-1, arritën të sigurojnë matematikisht ngjitjen në Premier League. Sezon i shkëlqyer deri tani i këtyre skuadrave, që dy javë nga përfundimi i sezonit kanë arritur të grumbullojnë plotë 94 pikë.