Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar disa nga pikat kryesore të programit të PD për zgjedhjet, duke u ndalur veçanërisht te çështjet e strehimit dhe pronësisë. Berisha premton se çdo çift i ri do të përfitojë një banesë përmes kredive të buta, duke e bërë të mundur strehimin e tyre pa barrë të rëndë financiare.
Ai gjithashtu garanton se çështja e pronave do të zgjidhet përfundimisht brenda mandatit të parë, duke theksuar se të gjitha legalizimet do të jenë falas dhe lejet ekzistuese do të kthehen në tapi brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së re. “Ne bëjmë legalizim para urbanizimit. Legalizimi do të jetë falas dhe çdo legalizim që keni do të njihet si tapi,” deklaroi Berisha.
Në lidhje me përbërjen e qeverisë së ardhshme, ai u shpreh se kabineti i Partisë Demokratike do të ketë përfaqësim mbarëkombëtar, duke garantuar përfshirjen e përfaqësuesve nga të gjitha trevat e vendit.
Kreu i PD Sali Berisha: Çdo çift i ri do të ketë banesë lehtësisht, me kredi të butë. Brenda mandatit të parë do të zgjidhet përfundimisht çështja për pronat. Të gjitha legalizimet do të jenë falas dhe lejet e legalizimit do të kthehen në tapi në 100 ditët e para të qeverisë së ardhshme. Ne bëjmë legalizim para urbanizimit, legalizimi do të jetë falas dhe çdo legalizim që keni, do njihet si tapi. Kabineti i PD do jetë me përfaqësim mbarëkombëtar.