Kryetari i Nismës Thurrje, Endri Shabani, që do të dalë në këto zgjedhje në koalicion me ‘Shqipëria bëhet’ të Adriatik Lapajn, i ftuar në studion e News 24, foli për situatën politike. Shabani tha se shqiptarët duan ndryshimin më 11 maj.
“Qytetarët duan ndryshimin. Popullsia është përgjysmuar, nga 4 milionë banorë kemi shkuar në 2.4 milionë, ky vend nuk ka më të rinj. Njerëzit duan ndryshim në çdo gjë, qytetarët duan që kur të shkojnë në spital, të marrin trajtimin e duhur. Dil në rrugë, shiko trafikun dhe ti kupton se përse vendi duhet të ndryshojë, ço fëmijët në shkollë dhe kupton pse ky vend duhet të ndryshojë, jeta e përditshme këtu është vështirësuar. Martini që humbi jetën, në vend se të shkonte në një spital më afër, detyrohet të shkojë në spital tjetër. Shumë njerëz të sëmurë presin sa të bëhet tenderi i radhës. Këta nuk besohen, sepse kanë 34 vite që premtojnë ujë të pijshëm dhe ka 34 vite që nuk e kanë bërë. Rama mbron këtë sistem dhe të korruptuarit. Ne duam të depolitizojmë administratën publike, e cila duhet të ketë flamurin shqiptar. Ne duam që nëse një shef shkarkon punonjësin e administratës, paratë për shkarkimin mos t’i paguajë shteti, por ai që bëri shkarkimin. Do frenojmë karrierën në drejtim, kryeministri s’mund të jetë më shumë se dy mandate, kështu edhe për drejtues të tjerë. Ka nevojë për qarkullim elitash”, u shpreh Shabani.
Më tej, Shabani theksoi se Koalicioni Shqipëria bëhet-Nisma Thurje do që të ndërtojë një shtet, që funksionon mirë. Ai tha që shpreson që Rama e Berisha të marrin më pak se 70 mandate.
“Nëse ka meritokraci, gjysma e të ikurve do kthehen sërish. Nuk vijnë sepse jemi një vend që nuk ka meritokraci, nuk ka spitale, shkollat kanë burrokraci, arsimi është shkatërruar, pa shthurrur merimangën, ne nuk mund të kthejmë të larguarit. Ne do të ndërtojmë një shtet, që funksionon mirë. Pritshmëria ime është që më 12 prill, shqiptarët të zgjohen optimist. Ne duam t’i japim vend të rinjve në parlament, që të rinjtë te kenë vend në çdo fushë të jetës. Nuk është çështje numrash. Ne duam që të mbajmë Ramën e Berishën nën 70 mandate, që të shthurrim këto parti me ngadalë. Ne nuk besoj se do të bashkëpunonim me Berishën e Ramën. Ne mund të bëhemi bashkë me të rinjtë e tjerë dhe me ata që nuk kanë qenë në vjedhje të vendit. Besoj se qytetarët e Tiranës do më besojnë mandatin e deputetit. Ne si koalicion kemi listë të hapur”, deklaroi ai.