Damian Gjiknuri zhvilloi pasditen e të martës takim me banorë të Rajonit nr.4, pjesë e njohur si zona ekonomike.
Banorët shprehen mbështetje ndaj Gjiknurit, duke pohuar faktin se, kur Gjiknuri ishte drejtues politik në Vlorë, veçanërisht për këtë zonë ka dhënë kontribut, duke lobuar për implementimin e projekteve apo investimeve infrastrukturore. Ata kërkuan nga Gjiknuri vijimin e legalizimit të objekteve në këtë zonë, duke hequr përfundimisht atë vijën e kuqe që ndan klasifikimin e zonës industriale nga ajo urbane. Kjo kërkesë e banorëve erdhi pasi Gjiknuri ishte i vetmi, që me ndërmjetësimin e tij, e mundësoi, kur ishte drejtues politik në Vlorë, duke i hapur dritën jeshile procesit të legalizimit. Banorët deklaruan se vetëm ai mund ta çojë deri në fund këtë proces, jashtë së cilit kanë mbetur 85 banesa pa u legalizuar.
Gjiknuri, duke i falenderuar banorët për mbështetjen pohoi se “dhashë ndihmën time konkrete në rastin e ndryshimit të ligjit, në dobi të komunitetit përmes largimit të vijës së kuqe të zonës ekonomike të lirë, e cila i hapi rrugën legalizimit të banesave, urbanizimit të plotë të bllokut të banimit, ku investimet e banorëve ndër vite u konkretizuan me të drejtën e tyre për ta zotëruar pronën”.
Nga kjo zonë, vijoi Gjiknuri, do ta doja mbështetjen e banorëve, pikërisht për vëmendjen e veçantë që kam treguar.
“Ka shumë arsye për të votuar Partinë Socialiste në Vlorë. Kryesorja është gjithë investimet që janë bërë në Vlorë dhe shumë të tjera që po bëhen. Vlora po ndryshon çdo ditë falë investimeve të qeverisë. Jo larg zonës suaj do të bëhet porti i ri tregtar, i cili do të sjellë më shumë shumë ekonomike për zonën, pasi ku ka port tregtar, industrisë i jepet prioritet. Aeroporti i ri do të sjellë gjithashtu shumë më tepër zhvillim. Kjo ka një perspektivë që quhet Partia Socialiste dhe Edi Rama.
Nëse në 2030 vendi ynë futet në Bashkimin Evropian, ne do të jemi përfitues të investimeve të mëdha nga BE. Më 11 Maj, ne kemi vetëm një drejtim, Partinë Socialiste, me të cilën do ta bëjmë realitet rrugën e nisur. Mos i dëgjoni kur thonë Damiani është i dalë, Damiani është i fituar. Jo. Unë kërkoj të marr votat masive të Qarkut të Vlorës, në mënyrë që të kem peshë politike dhe të kem mirënjohjen dhe borxh moral për votën që do të më jepni, pasi është hera e parë që kërkoj votë për personin tim.
Votën tuaj vlerësojeni politikisht. Ju doni një njeri që përfaqëson vlerat e Partisë Socialiste, një njeri të provuar që jo vetëm të flasë por të zgjidh probleme. Vota për emrin tim është votë për zgjidhjen e problemeve tuaja”, theksoi Gjiknuri.