Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me qytetarët e Skraparit, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Me tone ironike dhe kritike, Rama u ndal gjatë te situata brenda opozitës, duke e cilësuar atë sërish si “kënetë” dhe liderin historik të PD-së, Sali Berisha, “bufi i kënetës”.
Rama nuk la pa përmendur as personazhin e rrjeteve sociale, Ilir Vrenozi, duke e cilësuar si “të ardhmen e opozitës” dhe duke nënvizuar shfaqjen e tij në një takim elektoral të PD.
“E ardhmja e kënetës është Ilir Vrenozi. Mos e merrni me të qeshur. U tregua qartë në Korçë. Dje e patë kush e mori pushtetin në opozitë – Ilir Vrenozi. E patë sesi bufi dukej i mbaruar dhe i larguar. De facto është i larguar. De jure do ta shihni pas zgjedhjeve që Ilir Vrenozi do të sulmojë për të marrë pushtetin e kënetës në Tiranë,” tha Rama.
Rama ironizoi edhe figura të tjera të reja të opozitës, të cilat i krahasoi me fenomenet e piramidave në vitet ‘90, duke thënë:
“Janë edhe disa zogj të vegjël që kanë dalë, jo bëhet, jo s’bëhet, jo mundet, jo s’mundet… më heqin mallin e Sudes dhe piramidave të tjera. Thonë: ‘Na jepni votën dhe s’ka më korrupsion’, sa të kapin ndonjë karrige deputeti.”
Në fund, Rama u ndal edhe te Lulzim Basha, duke ironizuar logon që ai përfaqëson në zgjedhje, Koalicionin Euroatlantik:
“Ai të paktën është koalicioni ‘Tek Pull’. Është koalicioni i parë në histori me atë emër.”