Nga një ëndërr, “tripleta” e famshme rezultoi një iluzion. Milan nxjerr nga gara Inter, i shkarkon një tjetër humbje të rëndë, këtë herë në Kupë, me kuqezinjtë që bëjnë sërish “djallin” në derbin e Madonnina-s duke “fluturuar” në finale. Në fakt, është një paradoks shumë i madh, tani Milan është më pranë se Inter për të bërë “dopietë” këtë sezon pas suksesit në Superkupë, sërish përballë rivalëve të përjetshëm. Në krizë totale në Serie A, Milan gjen paqe vetëm në derbi, ketë herë suksesi ishte edhe me spektakolar pasi triumfuan pastër 3-0.
Të lodhur dhe me një kalendar super të ngjeshur, Simone Inzaghi vendosi të bëjë një tjetër rotacion, ku mes ndryshimeve të shumta befasoi edhe me Asllanin titullar, por këtë herë lëvizjet e teknikun zikaltër nuk rezultuan të gjetura pavarësisht se ishte Dimarco ai i cili lëshoi sinjalin e parë duke goditur traversën.
Milan reagoi dhe në minutën e 36-të, Luka Jovic me një goditje shumë të bukur me kokë mposhti portierin Martinez duke kaluar “djallin” në avantazh. Me fillimin e pjesës së dytë, në minutën e 50-të, Jovic përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe shumë pranë vijës fatale tundi rrjetën për herë të dytë duke kaluar në delir tifozët kuqezi.
Inzaghi u përpoq të ndryshonte rrjedhën e këtij derbi duke kryer menjëherë katër zëvendësime të shpejta, mes tyre uli në stol Asllanin për Calhanoglu. Ndryshimet në formacion jo vetëm që nuk patën asnjë efekt, por në minutën e 85-të, Reijnders finalizoi me gol një aksion të bukur duke mbyllur llogaritë me Inter. Ky sukses i Milanit në Kupë mban të gjallë këtë sezon.
Nuk arriti të linte gjurmë në këtë takim Asllani, me mesfushorin kuqezi që i vlerësua nga mediat me notën 5: “Nuk është ende një alternative e mjaftueshme për të zëvendësuar Calhanoglu”, shkruan ndër të tjera Sportmediaset.

“Vetëm Milan, super fiton derbin dhe shkon në finalen e Kupës. Bie Inter, lamtumirë tripletë”, ishte titulli i përzgjedhur nga La Gazzetta dello Sport.
()