Bordi Drejtues i Ligës Universitare “Gjon Durrsaku”, në mbledhjen e tij të radhës, vendosi ndërmarrjen e hapave konkrete për ta kthyer Tiranën dhe Shqipërinë në një destinacion për studentët ndërkombëtarë.
Për këtë qëllim, u propozua që kryeqyteti shqiptar të mirëpresë në fund të muajit tetor Tirana Fair for International Students. Ky panair do të njohë universitet shqiptare me agjentët e huaj, të cilët do të jenë një urë komunikimi dhe ndërmjetësimi për sjelljen në vendin tonë të studentëve ndërkombëtarë dhe atyre nga hapësira mbarëshqiptare.
Kryetari i Bordit Drejtues, prof. dr. Et’hem Ruka, tha gjatë fjalës së tij se, ka ardhur momenti vendimtar për të hedhur hapa konkretë në thithjen e studentëve të huaj.
“Pas hovit të turizmit bregdetar, turizmit klinik dhe atij dentar, Tirana dhe Shqipëria duhet të bëhen destinacion për turizmin studentor”, theksoi Ruka.
Në këtë mbledhje të Bordit Drejtues u sugjeruan disa nisma të rëndësishëm që do të mundësojnë qëllimin e Ligës për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe universiteteve në Shqipëri, të tilla si:
Përthithja e praktikave më të mira nga universitet më novatore në botë; Implementimi i sistemeve ndërkombëtare më të avancuara; Realizimi i auditimit financiar si në universitetet perëndimore; Ndërtimi i një rrjeti të pasur bibliotekash; Fuqizimi i kërkimit dhe rankimi i revistave shkencore në Scopus; Rankimi i universiteteve shqiptare në revistën angleze “Times Higher Education”, një nga institucionet më serioze për renditjen e institucioneve të arsimit të lartë në botë; Zbatimi i kodit europian të integritetit-antiplagjiatura.
Bordi theksoi nevojën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve anëtare dhe angazhimit të përbashkët për të rritur cilësinë akademike, vizibilitetin dhe konkurrueshmërinë e arsimit të lartë shqiptar në nivel ndërkombëtar.
Krijuar në 2017-ën, nga tre institucione arsimore, Liga Universitare “Gjon Durrsaku” është e para iniciativë në Shqipëri që synon rritjen e cilësisë dhe lobimin për çështjet që prekin arsimin e lartë.
Në shkurt të 2025-ës, Universitetit Europian të Tiranës dhe Tirana Business University iu bashkuan shtatë anëtarë të rinj: Universiteti Luarasi, Kolegji Universitar Qiriazi, Universiteti Aldent, Canadian Institute of Technology, Universiteti Polis, Kolegji Profesional i Tiranës dhe Universiteti Metropolitan i Tiranës.
Në fillim të muajit prill, Bordi Drejtues pranoi unanimisht kërkesën e tre universiteteve për t’u bashkuar me Ligën, Universitetit Epoka, Kolegjit Universitar të Biznesit dhe Kolegjit Gjerman, duke e çuar kështu në dymbëdhjetë numrin e anëtarëve.
()