Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, në një intervistë për News24, ka komentuar intensitetin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar përkushtimin personal dhe të partisë së tij në çdo qark, me fokus të veçantë në Tiranë.
“Kemi një fushatë intensive. Unë si kryetar duhet të jem prezent kudo dhe jam i përqendruar në Tiranë, ku kam bërë fushatë që prej vitit 2005,” tha Idrizi.
Ai u shpreh optimist për rezultatin që PDIU pritet të ketë në këto zgjedhje, duke theksuar kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarët dhe adresimin e problemeve reale të tyre. “Zgjedhjet janë momenti më serioz i marrëdhënies mes qytetarit dhe politikës. Në atë ditë, është qytetari që merr fuqinë dhe delegon të ardhmen,” tha Idrizi.
Në lidhje me programin ekonomik, kreu i PDIU theksoi nevojën për një kthim drejt prodhimit vendas, duke e konsideruar atë një rrugë të rëndësishme drejt rritjes së punësimit dhe qëndrueshmërisë së sistemit të pensioneve.
“Një vend si Shqipëria nuk mund të mbahet vetëm nga ndërtimi. Prodhimi i brendshëm krijon punësim dhe ndihmon në zgjidhjen e çështjes së pensioneve. Jam për një sistem taksimi uniform dhe neutral,” përmbylli ai.