Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, gjatë një interviste në studion e News24, ka vënë theksin te rëndësia strategjike e diasporës shqiptare, duke prezantuar pjesë të programit të tij që lidhen me këtë komunitet në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit.
“Diaspora janë vëllezërit dhe motrat tona. Ata mbajnë të afërmit këtu dhe sjellin rreth 1 miliard euro çdo vit. Si është e mundur që për 2.4 milion shqiptarë brenda kemi disa ministri e mbi 1 mijë institucione, ndërsa për ata jashtë vendit nuk kemi asnjë strukturë për të adresuar problemet e tyre?”, u shpreh Idrizi.
Ai theksoi se shteti shqiptar ka një detyrim moral dhe politik për të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi me diasporën. Sipas tij, shumë vende si Italia, Irlanda dhe Kroacia i ofrojnë shtetësinë dhe përfshirjen aktive breznive të emigrantëve të tyre, duke i kthyer në forca lobuese dhe investuese.
“Brezi i dytë dhe i tretë i emigrantëve tanë ka arritur nivele të jashtëzakonshme njohurish dhe kapitali. Mira Murati e ChatGPT është një shqiptare e këtij brezi. Ka shumë të tjerë në botën e biznesit e teknologjisë. Ne duhet të jemi ata që i ftojmë për të investuar këtu, t’u japim lehtësi, para se t’i ofrojmë të huajve,” tha ai.
“Diaspora janë vëllezërit dhe motrat tona. Mbajnë të afërmit e tyre këtu dhe sjellin 1 miliard euro në vit. Si shpjegohet që për 2.4 mln shqiptarë brenda kemi disa ministri dhe 1 mijë institucione. Po për këta që janë jashtë që po merakosen për t’u marrë votën, si ka mundësi që kemi zero institucione për problematikat e tyre. Është interesi dhe detyrimi i Shqipërisë që t’i ndihmojë këta njerëz.
Ne u detyrohemi shumë atyre në diasporë dhe asnjë deri më sot nuk është ulur me ta për t’i pyetur çfarë problemi keni. Italia ja jep çdo njeriu me origjinë italiane nënshtetësinë. Për çfarë e bën, ose Irlanda me 3 breza, ose Kroacia me 4 breza. Këto bëhen një forcë shumë e madhe integruese aty ku janë dhe lobuese aty ku janë. Ky është interes i shtetit shqiptar për ta bërë këtë. Brezi i dytë e i tretë i emigrantëve tanë kanë arritur nivelet më të larta të njohurive dhe kapitaleve. Mira Murati e ChatGPT është një shqiptare e këtij brezi të jashtëzakonshëm. Shumë të tjerë janë në biznes, etj. Janë një mundësi e madhe për t’i ftuar të investojnë në Shqipëri. Para se të bëjmë lehtësira fiskale për të tjerët, duhet t’u krijojmë lehtësi atyre”, tha ai.