Policia e kryeqytetit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Mystery”, duke zbardhur disa raste vjedhjesh të monopatinave dhe biçikletave të ndodhura gjatë muajit prill në zona të ndryshme të Tiranës.
Në kuadër të operacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin A. M., 19 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa shpallën në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij të dyshuar, A. U., 32 vjeç dhe A. H., 22 vjeç.
Gjatë kontrollit fizik të 19-vjeçarit të arrestuar, shërbimet e Policisë zbuluan dhe sekuestruan një sasi të lëndës së dyshuar narkotike kokainë.
Sipas hetimeve paraprake, grupi i të dyshuarve ka kryer të paktën 6 vjedhje (3 biçikleta dhe 3 monopatina), duke goditur në zona të ndryshme të kryeqytetit. Dyshohet se ata kanë bashkëpunuar ngushtë për realizimin e vjedhjeve, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar raste të tjera të mundshme.