Ndërsa në kryeministri, imazhet e fotografuara nga Ben Blushi shfaqen në një ekspozitë, ai ka prezantuar edhe një album ku shqiptarët e panjohur shfaqen si në një libër. Në një bisedë mbi artin, ai ka folur për filmin shqiptar dhe të nesërmen e tij
Nga Fatmira Nikolli
Shkrimtari Ben Blushi ka mbajtur një Artist Talk- në Cod në Kryeministri, në kuadër të ekspozitës së tij fotografike “Shqiptarët e panjohur”. Personazhet që ai ka fotografuar janë nga vende të ndryshme të Shqipërisë dhe bartin realitete dhe botëkuptime të ndryshme, ndërsa veç ekspozitës së përkohshme tani “Shqiptarët e panjohur” vijnë edhe në një album.
“Ky album që quhet ‘Shqiptarët e panjohur’ më ka dhënë shumë kënaqësi, se kisha menduar që do ta bëja. Ka 42 foto që janë këtu dhe 20 e ca të tjëra që kanë pas mundësi të ekspozohen për shkak të hapësirave”, tha Blushi.
Ndërsa u ndal në qasjet e perspektivat e veprave të tij, në letërsi a fotografi, Blushi foli edhe fotografinë e filmit shqiptar duke u ndalur në filma me histori familjare e personale, e duke e parë mbase të ardhmen në detyrën e regjisorit.
“Si fotografi rrallë ka filma të bukur që ka fotografi të bukur, që është ‘Gjeneral Gramafoni’ që ka fotografi të bukur. Filmi që është bërë për mua ‘Beni ecën vetë’ s’ka ndonjë fotografi të bukur. Është film i bukur se historia është fantastik, e teksti është shumë i bukur, si fotografi, “Lulëkuqe mbi mure’ ka fotografi të bukura po s’ka shumë plane. Po shumë pak filma ka që thua, çfarë fotografie. Unë s’mund të bëj skenarin e veprave të mia, por ajo që doja unë të bëja ndonjëherë, dhe fotografia mbase më ndihmon, është të bëhesha regjisor. Besoj se mund ta bëj”, tha Blushi.
Individi, mendimet e historitë e tij apo të shoqërisë, janë kapur në imazhe shqiptarësh të panjohur që shfaqen në ekspozitë me ambiguitetin e dritave, hijeve dhe titujve që u ka vënë Blushi.
()