Teksa bota e krishterë është në zi dhe flamujt e shumë shteteve janë ulur në gjysmështizë për kalimin në amshim të Papa Françeskut, Kardinal Ernest Simoni (Troshani) bëri nderimet e fundit për Atin e Shenjtë.
Njohja e Papa Françeskut me Dom Ernest Simonin (Troshanin) erdhi më 21 shtator 2014, ditë kur Ati i Shenjtë kreu një vizitë historike në Shqipëri. Teksa në katedralen “Shën Pali” në Tiranë mbahej pritja ceremoniale për Papa Françeskun, një histori e veçantë u rrëfye përballë këtij njeriu që drejtonte selinë e shenjtë të krishtërimit.
Dom Ernest Simoni (Troshani), i dënuar me 28 vite burgim nga regjimi komunist rrëfeu përballë Atit të Shenjtë historinë e shqiptarëve, historinë e jetës së tij dhe përballjet me regjimin gjakatar, për shkak të besimit, në shtetin e parë ateist në botë.
Dom Ernest Simoni (Troshani) asokohe 88 vjeç, ishte i vetmi prift katolik, dëshmitar i gjallë i atij regjimi. Ai u dënua me varje në litar, pasi mbajti Meshë Përshpirtjeje për presidentin amerikan John Cennedy, sipas udhëzimit të Papa Palit VI-të.
Dënimi me vdekje iu konvertua me burgim dhe punë të rëndë, ndërsa kryehetuesi ishte shprehur përballë tij, se: “Ty do të të varim në litar si armik, sepse i ke thënë popullit që të vdesim të gjithë për Krishtin, po qe nevoja”.

Me të dëgjuar këtë rrëfim, Papa Françesku u përlot dhe i puthi duart meshtarit që i mbijetoi komunizmit.
Dy vite më pas, në 2016 Ati i Shenjtë bëri pjesë të Kolegjit të Kardinalëve, priftin e Dioqezës Shkodër-Pult, Dom Ernest Simoni (Troshani), duke u bërë kështu kardinali i dytë shqiptar, pas Kardinal Mikel Koliqit. Po në këtë vit Vatikani shpalli “të lumë” 38 martirë shqiptarë, të persekutuar dhe të ekzekutuar më pas nga regjimi komunist.
Nderimet që Papa Françesku bëri ndaj Kardinalit Ernest Simoni (Troshani) nuk përfunduan këtu. Më 14 shkurt 2024, në 95-vjetorin e lindjes së kardinalit shqiptar, Ati i Shenjtë në audiencën e përgjithshme të mbajtur në Vatikan e falënderoi që vazhdonte të punonte për Kishën, pa u dekurajuar.
Një dëshmi përulësie nga Papa i të varfërve!
()