Kandidati për deputet i PD në Tiranë, Klevis Balliu, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë për menaxhimin e financave të shtetit, duke theksuar se janë të paka investimet në sektorët që prekin drejtpërdrejt qytetarët, si rinia dhe infrastruktura.
I ftuar në studion e News24, Balliu ka ngritur pikëpyetje mbi alokimin e fondeve publike për projekte kontroverse, duke përmendur infrastrukturën e inceneratorëve, për të cilën ka thënë se ka para të pafundme, ndërkohë që shtoi se mungojnë investimet për përmirësimin e kushteve për të rinjtë.
“Shqipëria ka para pafund për inceneratorin që nuk ekziston, por nuk paska para për të rinjtë. Pse nuk ka para për të rinjtë, por ka për Belinda Ballukun? Pse nuk ka para për Shqipërinë, por ka për Edi Ramën?” tha Balliu.
Ai shtoi se një nga përgjegjësit kryesorë për këtë situatë është Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila, sipas tij, ka në dorë 75% të buxhetit të shtetit, por nuk justifikon as 1% të atij buxheti. Balliu e akuzoi atë për dështim të menaxhimit të fondeve, duke e quajtur situatën e rrugëve dhe infrastrukturës një skandal.
“Rrugët e saj janë skandal,” tha Balliu, duke theksuar se me gjithë miliardat që shpërndahen për projekte, ka një mungesë të dukshme të transparencës dhe rezultateve konkrete për qytetarët.