Disfata në derbi trazoi jo pak ambientin zikaltër, por stafi drejtues, trajneri Inzaghi, lojtarët, të gjithë besojnë se mund t’i bëjnë një mbyllje të bukur këtij sezoni, fundja janë ende në garë në Serie A dhe Champions. Këto dy objektiva kalojnë nga sfida shumë të rëndësishme, fillimisht Roma, për të synuar shkëputjen nga Napoli dhe më pas Barcelona për të shpresuar që të prekin një tjetër finale në Champions.
Për të larguar disi presioni nga trajneri dhe stafi, drejtuesit e Inter kanë zbritur në fushë duke konfirmuar besimin total ndaj trajnerit Simone Inzaghi. La Gazzetta dello Sport zbulon se sido të përfundojë ky sezon, qoftë edhe me zero tituj, Inzaghi do të vijojë të jetë trajner i Inter, pra palët do të rinovojnë kontratën aktuale e cila i përfundon në 2026: “Inzaghi, çfarë besimi”, ishte titulli kryesor i La Gazzetta-s.

Diskutimi është ndryshe kur bëhet fjalë për grupin. Në fund të këtij sezoni, Inter do të përfshihet në një revolucion të lehtë pasi nga Milano pritet të largohen disa lojtarë. Me valixhe në duar janë Arnautovic, Taremi, Correa, Frattesi dhe Asllani. La Gazzetta zbulon listën e zezë ku i përfshirë është edhe mesfushori kuqezi. Derbi i fundit përballë Milan, gjithnjë sipas të përditshmes italiane, vendosi përfundimisht fatin e Asllanit.
()