Gjatë ceremonisë madhështore të përcjelljes së Papa Françeskut në Romë, ku morën pjesë Presidenti i Republikës Bajram Begaj dhe përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve fetare nga Shqipëria, ceremonia e Vatikanit rezervoi një surprizë të veçantë për besimtarët ortodoksë shqiptarë.

Në podiumin qendror, pranë Patriarkut Bartolomeu dhe përfaqësuesve të tjerë të kishave orientale nga Antiokia, Çekia, Rusia e më gjerë, u nderua edhe Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturi Joani. Në të majtë të podiumit, mes një grupi të madh kardinalësh dhe arqipeshkësh që kremtonin meshën bashkë me Dekanin, binin në sy prania e Kryepeshkopit Joani dhe pas tij, Episkopi i Krujës, Hirësi Anastasi.
Ceremoniali solemn parashikonte dy momente të veçanta lutjeje, ku e dyta ishte kushtuar kishave orientale. Patriarkët dhe arqipeshkët orientoheshin nga altari dhe recitonin lutje të veçanta nga liturgjia bizantine e të vdekurve, duke u përkulur përpara arkëmortit të Papës. Në përmbyllje, një nga patriarkët orientale realizoi ritualin e tymosjes me temjan dhe spërkatjen me ujë të shenjtë.
Pjesëmarrja e dy klerikëve shqiptarë në këtë ceremoni të paharrueshme, në krah të figurave më të larta të kishave botërore, është një nder i madh për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe për të gjithë besimtarët shqiptarë — një shenjë e fortë respekti dhe vlerësimi në këtë moment historik për të nderuar shpirtin human të Papa Françeskut.