Jorida Tabaku në “Woman Global Summit”: Gratë janë forca që nuk dorëzohet kurrë

Kandidatja e Partisë Demokratike në listën e hapur për Tiranën, Jorida Tabaku, ishte e pranishme në “Woman Global Summit”, ku ndau mesazhe të forta dhe të ndjera mbi rolin e grave në politikë dhe në shoqëri.

Në fjalën e saj, Tabaku theksoi se gjatë gjithë karrierës së saj është përpjekur të mbështesë gratë dhe vajzat, jo vetëm duke krijuar hapësira për pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje, por edhe duke dhënë një model ndryshe në politikë.

“Nuk ke nevojë të jesh burrë për të qenë e fortë. Mjafton të jesh grua dhe të lësh shenjë,” u shpreh ajo, duke nënvizuar sfidat me të cilat përballen gratë çdo ditë, si në profesion ashtu edhe në jetën familjare.

Duke folur për përfaqësimin politik të grave, Tabaku theksoi se, edhe pse personalisht beson në forcën individuale të grave, mbështet idenë që kuotat janë një mjet i domosdoshëm për të hapur rrugën për më shumë përfshirje femërore.

Ajo ndau një moment personal nga viti 2009, kur një tjetër grua e mbështeti për të hyrë në politikë, duke i kërkuar që të bënte diferencën.

Tabaku tha se gjatë këtyre viteve ka zgjedhur të jetë një zë i qetë, por i sigurt në politikë, veçanërisht për çështjet ekonomike, pasi beson se gratë i njohin më mirë se kushdo sfidat reale të jetës së përditshme.

“Kam dashur të jem zëri i grave, jo zhurma e politikës,” theksoi ajo.

Duke ndarë përvojat me shumë gra të zakonshme që ka takuar gjatë fushatës, Tabaku solli në vëmendje historitë e nënave të fëmijëve me autizëm dhe të grave që punojnë fort çdo ditë për të përballuar jetën.

“Ne duhet të jemi krahu i këtyre grave që luftojnë çdo ditë për dinjitetin e tyre. Kemi një obligim ndaj tyre,” u shpreh ajo.

Në një mesazh të drejtpërdrejtë për të gjitha gratë dhe vajzat, Jorida Tabaku garantoi se dera do të jetë gjithmonë e hapur për to në Kuvendin e Shqipërisë.

“Unë jam dhe do të jem zëri i tyre në Kuvend dhe më shumë se kaq. Politika për mua nuk është pushtet për vete, por mision për t’i shërbyer çdo gruaje, çdo nëne dhe çdo vajze që kërkon një jetë më të mirë,” deklaroi Tabaku.

Në mbyllje, ajo solli një mesazh frymëzues: “Realiteti mund të duket si një mal i pakalueshëm, por forca e grave është ajo që çan rrugën përpara. Gratë nuk dorëzohen, kampionet nuk dorëzohen.”

Tabaku bëri thirrje që shoqëria të mbështesë dhe fuqizojë energjinë pozitive të grave dhe vajzave, duke ndërtuar së bashku një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë.

()


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook