Kandidati i Partisë Socialiste për deputet në Tiranë në zgjedhjet e 11 majit, Andi Seferi, ka komentuar atmosferën e fushatës elektorale, e cila ka hyrë në fazën më intensive të saj.
I ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë| në News24, Seferi theksoi se energjia e shtuar mes kandidatëve është krejt normale në një garë zgjedhore, duke mohuar zërat për përplasje të brendshme në radhët e PS.
“Dëgjoj shumë për luftën brenda llojit, por kjo nuk ekziston mes nesh,” u shpreh ai.
Seferi nënvizoi se ndjenja e garës është e natyrshme kur kandidatët u drejtohen qytetarëve, por qëllimi kryesor mbetet i përbashkët: maksimizimi i votave për Partinë Socialiste dhe fitimi i elektoratit gri.
“Është normale që në çdo garë të ketë energji të shtuar mes pjesëmarrësve. Dëgjoj shumë për luftën mes llojit, por kjo nuk ekziston mes nesh. Është njerëzore të ndjejmë ndjesinë e garës kur u drejtohemi qytetarëve. Qëllimi kryesor i kandidatëve është maksimizimi i votave për Partinë Socialistëve në zgjedhje dhe marrja e elektoratit gri” tha ai mes të tjerash.