Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një fjalimi të tij, theksoi rëndësinë e dy javëve të ardhshme si momente të përcaktuese për fushatën e tij. Ai bëri thirrje për mobilizim të mbështetësve dhe simpatizantëve, duke e cilësuar programin e tij një angazhim për çdo shqiptar, jo vetëm për anëtarët e partisë. Sipas tij, ky program do të sjellë përfitime konkrete për qytetarët, duke nisur nga rimbursimi i ilaçeve dhe ulja e kostos për pensionistët e deri te mbështetja për të rinjtë dhe gratë.
Berisha deklaroi se Ministria e Familjes do të jetë një mbështetje e fuqishme për nënat, gratë dhe motrat, duke u angazhuar për një politikë që do të krijojë mundësi të reja për to. Ai shtoi se, për të pasur një familje të fortë, duhet të ketë gra dhe nënat të forta.
Fjala e Berishës përmendi gjithashtu mbështetje për bizneset dhe qytetarët, duke përmendur uljen e barrës fiskale për bizneset dhe mundësitë e reja për punësim dhe zhvillim ekonomik. Ai nënvizoi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm për qytetin e Kuçovës, një zonë e pasur me rezerva nafte, por edhe me sfida mjedisore.
Berisha theksoi se ky program është një angazhim për një Shqipëri më të fortë dhe më të qëndrueshme, ku çdo qytetar do të ketë mundësi të përfitojë nga politikat e tij.
Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha:
Miqtë e mi!
Janë momente shumë të rëndësishme. Janë dy javë para nesh përcaktuese. Thirrja ime për secilin prej jush, për çdo mbështetës dhe simpatizant tonin.
Le ti shpallim këto dy javë, javët e misionit tonë, e një misioni për të trokitur në çdo zemër, për të bindur çdo qytetar se ky program nuk është program për një parti, është program për çdo shqiptar.
Ky program miqtë e mi, nga njëra anë kthen paratë, jo vetëm demokratëve, por çdo shqiptari që ka paguar taksa.
Nga ana tjetër, ky program krijon një mundësi të re për 760 mijë pensionistë, që të kenë një jetë jo më siç e kishin më parë, të kenë një ushqim normal.
Por dhe ilaçet. Lista e ilaçeve do të jetë ajo që ka Republika Italiane. Do rimbursohet 100%.
Secili nga pensionistët dhe rrogëultët do të kenë Kartën e Konsumatorit, do i marrin ushqimet bazë me 20% më lirë dhe do të marrin mbrapsh TVSH, 450 euro është pra sa një rrogë minimale pothuaj.
Mundësi më e madhe do të ketë për çdo të ri, i cili do të shkollohet, nuk do të përjashtohet nga universiteti për mesataren.
Do të ketë për çdo të ri, i cili pasi mbaron universitetin do të mbështetet fuqishëm për punësimin e tij, për strehimin e tij, për biznesin e tij.
Do të ketë për çdo nënë, motër, grua të cilat do të mbështeten fuqishëm me kredi, me grande për të udhëhequr biznese, për të patur sukses. Por edhe për të patur bollëk në familjen e vet, për të mos u detyruar më se, kjo sofër nuk mban kaq shumë. Se kjo sofër është më e vogël se sa jemi ne.
Nënat, motrat, gratë dhe vajzat shqiptare duhet ta kenë të qartë se Ministria e Familjes do të jetë avokatja më e fuqishme e interesave të tyre, mbështetësja më e fuqishme për to.
Familje e fortë, ky është qëllimi ynë, por pa gra, nëna e motra të forta nuk ka familje të fortë.
Miqtë e mi! Pra, kjo është fushatë.
Për biznesmenët i përgjysmohet barra fiskale. Hapësirë më e madhe, punëson më shumë, kursen më shumë.
Ne besojmë se në këtë mënyrë e ngremë Kuçovën dhe Shqipërinë në madhështinë e saj.
Kuçova është vend i rezervave të mëdha të naftës, por është vend dhe i pasojave serioze. Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për mbrojtjen e këtij mjedisi dhe pastrimin e tij. Për një mjedis të shëndetshëm për banorët e këtij rrethi dhe këtij qyteti.