Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me gratë dhe vajzat në qytetin e Vlorës, u shpreh se ish-kryeministri Sali Berisha ka paguar 6 milionë euro për të hequr “non gratën”.
Rama theksoi se këto janë para të dyshimta dhe se Berisha po kërkon votën për interesa personale, jo për të ardhmen e vendit. Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, që i cilësoi si historike, Rama tha se janë mes zgjedhjes mes rrugës drejt Bashkimit Evropian dhe, siç tha ai, “hallit personal të një 80 e kusur vjeçari”.
Edi Rama me gratë dhe vajzat në Vlorë: 1997 e përvëloi Vlorën. Është i njëjti personazh, që përsëri vjen vërdallë. Sali Berisha po kërkon votën për hallin e tij personal. Janë paguar 6 mln euro, është bërë kontratë 6 mln euro, thuhet nga patriotë. Berisha pagoi 6 mln euro për të hequr “non gratën” dhe ata para janë të dyshimta për faktin se ku janë gjetur. Si është e mundur që më shumë para jepen për Berishën për të hequr non gratën sesa për gjithë partitë politike që marrin nga KQZ në fushatë, duke i llogaritur të gjitha bashkë. Më 11 maj keni zgjedhje historike, mes interesit të popullit për të hyrë në BE dhe hallit personal të një 80 e kusur vjeçari.