Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, së bashku me Drejtuesen Politike të Qarkut të Tiranës, Ogerta Manastirliu, zhvilluan sot një takim me komunitetin e sipërmarrësve, fermerëve dhe banorëve nga zona të ndryshme rurale si Zallherr, Yzberisht, Farkë, Petrelë, Pezë, Ndroq, Vaqarr, Shëngjergj, Dajt etj.
Në këtë takim, Manastirliu vlerësoi rolin e Tiranës si motorin kryesor të zhvillimit të vendit, duke theksuar arritjet e deritanishme dhe sfidat për të ardhmen.
“Tirana është motori i zhvillimit të vendit dhe nëse flasim çfarë është bërë në këto 12 vite, kemi çfarë të themi. Janë hedhur baza që do të na çojnë në zhvillime të mëtejshme në të gjithë sektorët, por mbi të gjitha edhe për zonat rurale përmes investimeve në infrastrukturë,” deklaroi Manastirliu, duke përmendur rritjen e mundësive dhe kthimin e të rinjve në vendlindjet e tyre përmes agroturizmit.
Sipas saj, investimet strategjike në rrjetin rrugor, arsim dhe shëndetësi kanë sjellë një transformim të prekshëm.
“Sot mund të themi shumë çfarë kemi bërë për Tiranën, duke nisur nga investimet në kopshte, çerdhe, shkolla, qendra shëndetësore, spitale të reja dhe në infrastrukturë, infrastrukturë madhore si Unaza e Madhe e Tiranës, e cila ka lidhur më mirë zonën e qendrës me periferinë dhe zonat rurale,” tha Manastirliu.
Duke u ndalur te zonat rurale, Manastirliu theksoi përmirësimin rrënjësor të infrastrukturës në Petrelë, Farkë, Baldushk, Pezë, Ndroq, Vaqarr etj, çka ka sjellë një rilindje ekonomike dhe sociale në këto zona.
“Infrastruktura e përmirësuar vërtet ka bërë një rilindje të zonave rurale, duke u dhënë mundësi edhe më shumë për rritje dhe zhvillim ekonomik. Ajo që duhet të bëjmë të gjithë bashkë është të vijojmë reformat që kemi nisur dhe, ashtu si Tirana është simbol i zhvillimit dhe transformimit, të vijojmë ta bëjmë këtë edhe me të gjitha qytetet e tjera të Shqipërisë,” përfundoi Manastirliu.
Në takim u konfirmua angazhimi për të zhvilluar zonat rurale dhe për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëherazi Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka folur për investimet që janë realizuar deri më tani në Tiranë, duke theksuar rëndësinë e tyre për zhvillimin ekonomik dhe social të kryeqytetit. Ai ka nënvizuar gjithashtu projektet e reja, të cilat synojnë zhvillimin e zonave rurale të Tiranës dhe përmirësimin të cilësisë së jetës për komunitetin.