Arjan Hoxha, kandidat i PD në qarkun Tiranë dhe një njohës i mirë i problematikave të zonës së Kamzës e Paskuqanit, i ftuar në studion e News 24, hodhi akuza në drejtim të kryetarit të Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli.
Hoxha tha se kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli ka bërë disa shkelje, duke shtuar se nuk mund të bëhen tendera rrugësh 4 muaj para zgjedhjeve.
“E kam akuzuar z Suli se ka bërë tenderime 4 muaj para zgjedhjeve, për të intimiduar zgjedhësit në formë tjetër. Kryetari i Bashkisë Kamëz Rakip Suli ka bërë disa shkelje, Nuk mund të bëhen tendera rrugësh 4 muaj para zgjedhjeve, sipër baltës hidhet asfalt. Pra, janë rrugë skandaloze, që prishen për pak kohë. Kemi adresuar problematikat dhe shkeljet. Rilindja po tenton që të pengojë votuesit, që të shprehin vullnetin, pasi disa votues kanë larg qendrën e votimit”, tha Hoxha.
Më tej, Hoxha deklaroi se për simpatizantët e PD në zonën e Kamzës ka diskriminim në shërbime publike. Ai tha se data 11 maj është një datë historike për të ardhmen e vendit.
“Ka diskriminim në pushtetin qendror dhe atë vendor. Ka familje që nuk mbyllin dot muajin, që kalojnë muajin me 8500 lekë të reja në muaj. Ka diskriminime për shkak të bindjes politike. Ka probleme me papunësinë, ka probleme me braktisjen masive. Nëse nuk bie gongu që të ikë ky regjim, qytetarët thonë se do largohen dhe ata që kanë mbetur. Data 11 Maj është mision në shërbim të kombit shqiptar. Është situatë paniku, sikur ky vend është pushtuar. Unë jam kandidat i PD për qarkun Tiranë dhe njoh problematikën më mirë në Kamëz e në Paskuqan. Në disa zona ka mungesë të shërbimeve të energjisë elektrike. Nuk ka shërbim sepse qytetarët janë me PD-në. Nesër me PD në qeveri, ne iu kthejmë dinjitetin. Rama ka mungesë etike, kur flet me atë gjuhë denigruese, bullizon njerëzit, ai etiketon qytetarët. Këtu nuk ka institucione. Rama ka ngrënë dardha e molla bashkë me ata që kanë vjedhur”, deklaroi ai.
Arjan Hoxha iu bëri thirrje qytetarëve që të votojnë PD-në, për minimumin jetik 200 euro, për pagën mesatare 1200 euro dhe pagën minimale 500 euro.
“Qytetarët duhet të paguajnë PD-në, për minimumin jetik 200 euro, për një pagë mesatare 1200 euro. Me 100 euro pensione, nuk të pranon as BE. Biznesi i vogël duhet të ketë më pak taksa, sepse është biznesi familjar dhe shpërndan të mirën në pjesën dërrmuese të popullsisë. Çmimi i naftës do jetë si në vendet e rajonit. PS detyron arsimtarët të angazhohen në takime. Edhe sot që flasim, bëhet krim elektoral. Po mbledhin karta identiteti. Po i ndjek dhe çdo gjë do ta denoncoj. SPAK duhet të bëjë arrestime në flagrancë për krime zgjedhore”, u shpreh ai.