Bashkëkryetari i koalicionit “Nisma-Shqipëria Bëhet” në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, i është drejtuar qytetarëve me një apel të fortë duke e cilësuar datën 11 maj si një moment kyç për fatin e Shqipërisë.
Në një fjalim para mbështetësve, ai paralajmëroi se 12 maji mund të shndërrohet në ditën e ikjes së madhe, nëse qytetarët nuk marrin vendimin e duhur.
Lapaj theksoi se përballja politike dhe morale që po ndodh në vend nuk është thjesht për zgjedhje apo mandate, por për të ardhmen e një kombi të lodhur nga padrejtësia dhe abuzimi:
“Nëse më 11 maj e reja dështon përballë atyre që i kanë çdo të zezë këtij vendi për 34 vjet, data 12 maj do të jetë dita kur nga ky vend do të nisë ikja e madhe.”
Ai bëri thirrje që kjo datë të mos kthehet në një ditë zhgënjimi, por në një ditë shprese për brezat e ardhshëm.
Duke ndarë realitetin e hidhur të shumë qytetarëve shqiptarë, Lapaj vuri në dukje se presioni, frika dhe shantazhi politik janë ende pjesë e përditshmërisë.
“Njerëzit thonë: kam frikë të flas se më prishin legalizimin. Kam frikë se më vendosin gjoba tek biznesi. Kam fëmijët në punë dhe kanë frikë për veten e tyre.”
Por, sipas tij, nëse frika mbizotëron dhe qytetarët tërhiqen, atëherë nuk do të ketë më kush të luftojë për të drejtat e tyre.
Lapaj paralajmëroi se një dështim më 11 maj do t’i japë elitës së vjetër politike një mesazh të rrezikshëm: se mund të vazhdojnë të abuzojnë, sepse qytetarët nuk reagojnë.
“Nëse ju i jepni sërish këtë mesazh, ata do t’ju vjedhin më shumë, do t’ju rrahin më shumë. Sepse do të thonë: ‘U çuan djem e vajza me shkollë e me emër, por ky popull i la në baltë. Sepse votoi ata që i dhunuan.’ Dhe kjo nuk duhet të ndodhë më.”
Në fund të fjalimit të tij, Lapaj u shpreh me përulësi, duke theksuar se rruga drejt ndryshimit është e vështirë, por e domosdoshme.
“Ju lutem, mos e ktheni datën 12 maj në ditën e zhgënjimit të madh. Kthejeni në ditën e shpresës së madhe.”
()