Pogradeci do të jetë kundërshtari i Tiranës në ndeshjen finale, ku do të mësohet se cila luan në Superiore sezonin tjetër. Djemtë e drejtuar nga Ardian Mema kanë mundur minimalisht 1-0 Besën, me golin e Alidemës në pjesën e parë. Një ndeshje e luftuar në fushë nga të dyja ekipet, me Besën që nuk ia del ta kalojë këtë pengesë, ndonëse bënë përpjekjet maksimale për ta dërguar ndeshjen të paktën në shtesa. Vlen të theksohet se spektakël më vete pati edhe në tribuna, me afro 1200 të pranishëm në stadium.
PJESA E PARË – Përballja nisi e qetë në minutat e para, me ekipet që mundohen më shumë të qarkullojnë topin. Dëshira nuk mungon, por frika për të lënë hapësira detyron skuadrat të mbyllen mirë. Gjithsesi, balancat do të prisheshin në minutën e 14-të me anë të një goditjeje dënimi. Është Alidema që merr përsipër ekzekutimin e saj, duke kaluar murin mbrojtës dhe e ndalur në rrjetë, me topin që prek fillimisht edhe shtyllën. Ka festë në kampin pogradecar, ndërsa Çela jep udhëzime për të tijtë, që duhet të shohin më shumë përpara. Besa rrit dozën e sulmeve, por gjithsesi rastin e rrezikshëm do ta ketë Oliveira me anë të një goditjeje dënimi, por pret Staniç. Besës nuk i mungon inkursioni, por Pogradeci mbrohet mirë dhe ia del që fraksionin e parë ta mbyllë në avantazh të një goli.
PJESA E DYTË – Ashtu siç pritej, në fraksionin e dytë të lojës kemi një Besë më kërkuese, me Çelën që ka dhënë udhëzime të qarta për të parë më shumë drejt sulmit. Fillimisht kavajasit rrezikojnë me Spahiun nga goditja e këndit, që për pak përfundon në rrjetë. Gjithsesi, rastin “e artë” do ta ketë Nonato në të 65-tën, ku fare pranë zonës godet topin mbi tra, duke i hequr verdhezinjve mundësinë e golit të barazimit. Liqenorët mbrohen mirë dhe nuk mendojnë shumë për sulmin, duke humbur kontaktin me portën kundërshtare, edhe pse Vokrri në të 80-tën për pak dyfishon shifrat pas një kundërsulmi. Besa shtyn me të gjitha forcat edhe në minutat e fundit, por pa ia dalë që të shënojë një gol që do ta dërgonte në shtesë. Kështu, skuadra që do të sfidojë Tiranën për një vend në Superiore, do të jetë Pogradeci i Ardian Memës.