Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur vendimin përfundimtar për tetë të pandehur të akuzuar për “ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave me funksione publike” dhe vepra të tjera penale, pasi u arrestuan nën akuzën se përmes një skeme mashtrimi premtonin dhënien e banesave sociale në Durrës.
Në përfundim të gjykimit të shkurtuar, trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Etleva Deda dhe Erjon Çela shpalli fajtorë të gjithë të pandehurit, duke caktuar masa të ndryshme dënimi, nga burgime efektive deri në vendime me vënie në provë.
Gëzim Sylaj u shpall fajtor për disa episode të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm në bashkëpunim me të tjerë. Ai u dënua gjithsej me 3 vite e 6 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul në 2 vite e 4 muaj burg, të cilin do ta vuajë në një burg të sigurisë së zakonshme duke nisur nga arrestimi i tij më 19 nëntor 2024. Ai u dënua gjithashtu për “mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Edhe bashkëpunëtorët e Sylajt, përfshirë Vasil Karasaliun, Viola Memën dhe Behare Luzin, u shpallën fajtorë dhe u dënuan me dënime nga 2 deri në 3 vite burg, por për shkak të uljes së dënimit me 1/3 sipas ligjit, dënimet përfundimtare variojnë nga 1 vit e 4 muaj deri në 2 vite burg.
Viola Mema dhe Behare Luzi përfituan gjithashtu nga bashkimi i dënimeve dhe u dënuan përfundimisht me 2 vite burg secila.
Për Luzin, Gjykata urdhëroi pezullim të ekzekutimit të burgimit dhe vënien në provë për 4 vite, me detyrime për të komunikuar rregullisht me Shërbimin e Provës Durrës.
Enxhi Çelaj, e dënuar për dy episode të ndikimit të paligjshëm, u dënua përfundimisht me 1 vit e 10 muaj burg, por dënimi i saj u pezullua dhe ajo u vu në provë për një periudhë 3 vjet e 8 muaj, nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës Durrës.
Gazmend Panxha u dënua me 10 muaj burg, ndërsa Sokol Sylaj me 8 muaj burg (pas uljes me 1/3), të cilat gjithashtu u pezulluan me vendim gjykate, duke u vendosur në provë përkatësisht për 20 muaj.