Në Londër, në shtëpinë e Arsenal, ka mllef për këtë humbje të pësuar përballë PSG. Ekipi i Arteta-s krijoi 10 raste, goditën 5 herë kuadratin, ndërsa VAR i anuloi dhe një gol. Sigurisht kjo humbje i le një shije të hidhur trajnerit Arteta, në sytë e tij Arsenal nuk e meritonte ta humbiste këtë takim:
“Jam i zhgënjyer nga rezultati. Dhamë shumë në këtë ndeshje. Në 10-15 minutat e para e kishim të vështirë të gjenim ritmin. Është zhgënjyes fakti që nuk morëm të paktën një barazim. Goli i pësuar? Ky është rreziku, por në këtë rast është edhe për meritë të tyre, gjithsesi, kjo ishte vetëm pjesa e parë. Të njëjtën gjë kam thënë edhe pas sfidës së parë kundër Real Madrid. Nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të shkojmë në Paris dhe të fitojmë. Mendoj se shanset për kualifikim janë ende 50/50”, u shpreh Mikel Arteta.
Pavarësisht se ekipi i tij mori një rezultat të rëndësishëm në sfidën e parë edhe Luis Enrique beson se gjithçka është ende e hapur: “Është një rezultat i mirë, por mund të shkonte më mirë, por edhe më keq. Objektivi i parë u arrit, është i qartë objektivi edhe në ndeshjen e kthimit, duhet të fitojmë. Nuk duhet të bëjmë llogari kundër një rivali që mund të shënojë në çdo formë. Ndeshja e kthimit do të jetë shumë emocionuese për tifozë, por shumë stresuese për ne trajnerët, por ne jemi gati”, u shpreh Luis Enrique në konferencë për shtyp.
()