Tërbohet Nagelsman: Barcelona nuk ka para, por blen kë i do qejfi

Mes Bajernit dhe Barcelonës nuk ka paqe. Transferimi i Robert Levandovskit nga kampionët e Gjermanisë te gjigantët spanjollë është konkretizuar tashmë.

NAGELSMAN 1

Por në Mynih nuk u del e keqja me lëvizjet e Barcelonës në merkato. Ka qenë trajneri i bavarezëve, Julian Nagelsman, i cili gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes që Bajerni do të luajë përballë DC Junajtidit, ka sulmuar ashpër klubin katalanas.

Diçka e pazakontë kjo për një trajner futbolli që ndërhyn në merkaton e një klubi të huaj. Por Nagelsman është ndryshe dhe ka folur hapur e pa doreza.

“Ata (Barcelona) janë klubi i vetëm në botë që nuk kanë asnjë grosh në arkat e tyre, por nga ana tjetër blejnë cilindo lojtar që i do qejfi në merkato.

Nuk ia kam idenë se nga i gjejnë paratë dhe si ia bëjnë me këto lëvizje. Të flasim hapur, kjo më duket vërtet e çuditshme, një çmenduri në fakt”, ka thënë trajneri i Bajernit të Mynihut kur është pyetur për merkaton e Barcelonës.

DE LIGT – Barcelona ka qenë vetëm një nga temat e shumta që trajneri i Bajernit, Julian Nagelsman, ka trajtuar në konferencën e tij për shtyp nga Uashingtoni.

Nagelsman ka komentuar gjatë afrimin më të fundit në skuadër, mbrojtësin holandez Matajs de Ligt. Ai la Juventusin për t’iu bashkuar bavarezëve për shumën e 77 milionë eurove (67+10).

Për numrin një të stolit të kampionëve të Gjermanisë, mbrojtësi është një vlerë e shtuar në ekip.

“Jam shumë i kënaqur që me Bajernin është bashkuar një lojtar i shkëlqyer si De Ligt. Ai është një nga mbrojtësit më të mirë në Europë dhe jam i bindur se është një vlerë e shtuar për Bajernin dhe vetë kampionatin gjerman.

Unë nuk e shoh De Ligtin vetëm si një mbrojtës për ne, e shoh të rëndësishëm edhe në fazën sulmuese. Shpresoj që të na ndihmojë me 6-7 gola në sezon”, ka komentuar Nagelsman.

SULMI – Me largimin e Robert Levandovskit për te Barcelona, Bajerni mes të tjerave ka humbur jo pak, por plot 40 deri në 50 gola në sezon.

Kjo është arsyeja, për se Nagelsman ka nënvizuar se Bajerni duhet të ndryshojë qasje në modelin e lojës së vet për t’iu përshtatur një realiteti të ri pas 8 vitesh me polakun në përbërje.

Ai pret gola nga i gjithë ekipi. “E deklarova edhe para nisjes për në SHBA se ky do të jetë një sezon i veçantë për ne, do të një jetë një sfidë për të gjithë për të mbuluar një boshllëk prej 40 golash në sezon.

Natyrisht që nuk kemi për të humbur. Unë mendoj se Bajerni është i kompletuar edhe pa Levandovskin. Mungesa e tij do të kompensohet nga lojtarët e tjerë.

Jam shumë kureshtar për të parë një Bajern të ri, madje mund të them se jam i lumtur që do të shoh një Bajern të ri. Ne kemi shumë lojtarë që e njohin portën. Për fat, kemi afruar edhe një lojtar të madh si Mane”, ka thënë Nagelsman.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI


Loading…

Tërbohet Nagelsman: Barcelona nuk ka para, por blen kë i do qejfi

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook