Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i ftuar këtë pasdite në emisionin “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa, tha se PL do të mbështesë kandidatët e Partisë Demokratike.
Ai tha ndër të tjera se PL nuk do nxjerrë një kandidat aty ku do të ketë kandidat PD, por shtoi se nëse do të kenë një kandidat të caktuar për ndonjë bashki, do të diskutojnë dhe do të gjejnë kompromis. Sipas Metës, prioritet është rikthim i fuqishëm i PL në këshillat e bashkive.
“Nuk kemi nevojë për marrëveshje, ne në asnjë rast nuk do nxjerrim një kandidat ku do të ketë kandidat PD, ne do mbështesim ata që do zgjedhë PD, nëse do kemi kandidat të caktuar në ndonjë bashki, ekziston dhe mirëkuptimi me degët e PD, këtë çështje do ta bisedojmë por do jenë raste të pakta sepse prioritet është rikthim i fuqishëm i PL në këshillat e bashkive dhe për këtë jemi të angazhuar totalisht”, tha Meta.
Ndërkohë, i pyetur nëse ka pasur një takim tjetër me Sali Berishën, Meta u përgjigj negativisht duke thënë se nuk kanë pasur arsye.
“Nuk kemi pasur ndonjë arsye për ti takuar se kam qenë i qartë në qëndrimet e mia, jemi për bashkimin e gjithë opozitës. Duhet të kuptojmë se deri në 25 prill opozitën e tërhiqte nga hunda Rama përmes Bashës, ishte disa hapa para, indirekt edhe LSI, i vetmi që nuk kontrollonte ishte Presidenti dhe goditje, presionet dhe provokimet bëheshin ndaj atij. Sot ai nuk e kontrollon PD pavarësisht se i ka futur duart goxha, por ka zero ndikim ndaj partisë së Lirisë”, deklaroi ai.