Partizani me mbylljen e Kategorisë Superiore, u përball me disa largime. Menjëherë pas kësaj drejtuesit nisën punën për të zëvendësuar të larguarit, por edhe për ta forcuar skuadrën, që shfaqi limite gjatë gjithë sezonit. Gjithsesi, duket se asgjë nuk ka qenë e lehtë. Deri më tani në korridoret e kuq kanë qarkulluar një numër i madh emrash, të cilët për një arsye apo një tjetër, nuk është bërë e mundur të transferohen te Partizani.
SINDRIT GURI
Sulmuesi i Shkëndijës, me të cilën po shkëlqen në Europë, e mbyll kontratën këtë verë me kuqezinjtë dhe Partizani tentoi ta bëjë të tijin. Fatkeqësisht për të kuqtë, ish-goleadori i Kukësit i refuzoi “demat” dhe aktualisht po vijon aventurën në Tetovë.
GLEDI MICI
Mbrojtësi i Prishtinës kishte arritur akord paraprak me Partizanin, por Prishtina ndërhyri duke i përmirësuar rrogën dhe mbajtur. 31-vjeçari do të mbajë edhe shiritin e kapitenit te bardheblutë. Kjo është hera e dytë që “demat” dështojnë me të.
BRUNO DITA
Ashtu si Guri, edhe Dita është një lojtar për të cilin është punuar në prapaskenë, por klauzola e Shkëndijës për të zgjatur kontratën në mënyrë të njëanshme e mbajti mesfushorin larg Partizanit. Te Partizani firmosën me emra si Telushi, Romero dhe Hoti. Vetëm ky i fundit ishte në formën e duhur fizike për ndeshjet e Europës.
HAKAJ E JONUZI
Dy shkodranëve u përfundoi kontrata me Vllazninë dhe Partizani i kontaktoi menjëherë, por klubi shkodran u kthye me oferta të përmirësuara dhe i bindi të qëndrojnë.
DA SILVA E IBRAIMI
Për këtë dyshe situata ishte ndryshe. Ata kishin dëshirë të transferoheshin te “demat”, por stafi i kuq preferoi të tërhiqej në operacionet për transferimin e tyre.
LUAN KAPANI
Sulmuesi në pronësi të Interit ishte dëshira e madhe e drejtuesve të Partizanit, por në fund ai i refuzoi dhe zgjodhi të kalonte në Portugali.
ANDREJ SOLOVEJ
Ishte një tjetër emër i propozuar për sulmin, por pretendimet e larta të bjellorusit dhe kontrata aktive me Shaktjor Soligorsk, e detyruan Partizanin të shohë për mundësi të reja. Silvio Merkaj është “ëndrra” e radhës për sulmin, shpresojmë të realizohet.
LISTA E PLOTË:
Arena e Lajmit
Loading…