Bajerni ndodhet në Uashginton për turneun veror, teksa drejtori Oliver Kahn nuk duket i shqetësuar për çështjet e merkatos. Ka ende punë për të bërë, por 53-vjeçari u shpreh i qetë në intervistën e dhënë për “TZ”.
Përse jeni me kaq humor të mirë këtë verë?
Përse të mos jem. Gjërat te Bajerni shkojnë mirë dhe bashkëpunimi me te gjithë është ideal. Këtë e dëshmon edhe puna cilësore që po bëjmë në merkato.
Bajerni është ndër ekipet e pakta që e ka organikën thuajse të plotë?
Kjo sepse detyrat e shtëpisë janë bërë në kohën e duhur pa qenë nevoja për t’u ngutur. Kjo ishte ajo që kishte më shumë rëndësi sepse dëshironim të përfundonim goditjet tona sa më shpejt. Ky objektiv ishte edhe për shkak se sezoni do të nisë më shpejt për shkak të Botërorit.
Në vitet e fundit Bajerni nuk është se ka bërë edhe aq shumë investime. Nga vijnë këto para?
E pranoj edhe unë që në 2-3 vitet e fundit kemi vuajtur ekonomikisht. Pandemia na dëmtoi, por jo aq sa për të na kufizuar për shumë kohë. Nuk është rastësi që shumica e klubeve vuanin, ndërkohë që ne vijojmë të regjistrojmë bilanc pozitiv. Nuk dua të jem mendjemadh, por e kam thënë shpesh që me mua në krye Bajerni nuk duhet të mendojë për probleme financiare.
Mjaftojnë Mane dhe De Ligt apo do të ketë të tjera afrime?
Jemi Bajerni dhe nëse do të kemi mundësi të afrojmë dikë sipas kushteve tona me siguri që nuk do të tërhiqemi. De Ligt dhe Mane janë vetëm dy goditje. Janë lojtarë të mëdhenj, por ndodhen këtu sepse përputhen me filozofinë tonë të punës. Kemi fuqi ekonomike, por nuk do të bëjmë çmenduri për askënd.
Matis Tel nga Reni dhe Laimer i Lajpcigut përkojnë me filozofinë e Bajernit?
Kemi pasur bisedime me të dy dhe po i zhvillojmë sipas mënyrë sonë. Duhet të vlerësojmë ecurinë e takimeve me klubet, por me siguri janë lojtarë të përshtatshëm për lojën e Bajernit dhe mund të ishin të dobishëm.
Çfarë roli keni ju në transferimet e tyre?
Publikut i duket se drejtori sportivi Salihamixhiç, trajneri Nagelsman dhe drejtorit teknik Marko Nepe po bëjnë gjithçka, por ju siguroj se edhe unë kam detyrat e mia, të cilat janë pjesë e këtij zinxhiri bashkëpunues. Të gjithë kemi mundësinë dhe të drejtën të themi fjalën tonë sepse secili është specialist i një fushe të caktuar. Jemi ulur shpesh me njëri-tjetrin dhe kemi rëndë dakord për shumë gjëra, e ka pasur aspekte të tjera, të cilat na kanë vënë kundër. E tillë është mënyra e punës.
A ndikon e kaluara juaj në rolin përballë të tjerëve?
Gjërat në ditët e sotme në futboll janë ndërlikuar aq shumë dhe duhet të dëshmosh çdo ditë se nuk je rastësisht në një rol të caktuar. Aq më tepër në një klub si Bajerni i Mynihut ku të gjithë vlerësohemi në bazë të punës dhe jo prej emrit apo historisë që kemi. Unë kam përvojën time, por edhe Hasani (Salihamixhiç) ka shumë eksperiencë në punën si drejtues. Kjo është një punë skuadre dhe ne ndihmojmë njëri-tjetrin aq sa mundemi. Ju folët për mundësi ekonomike.
Plani i sivjetshëm nuk ekzistonte në merkatot e kaluara?
Ju më duket se po harroni se prej dy vitesh kemi jetuar në pandemi. E meqë ra fjala, duke parë shifrat e infektimeve në rritje, i ftoj të gjithë të bëjnë kujdes. Për të kaluar te pyetja juaj, unë konsolidova pozicionin tim kur Rumenige vendosi të ndalte. Edhe ai na ka ndihmuar, pavarësisht se nuk ka rolin aktiv që kishte deri një vit më parë. Planet te Bajerni ekzistojnë dhe do të vazhdojnë sepse nuk mund të imagjinohet që të lëmë gjithçka në dorë të rastësisë.
Çfarë ju bën të sigurt se keni bërë afrimet e duhura?
Jemi munduar të përziejmë talente me lojtarë ekspertë. Të gjithë do të kenë mundësi të rriten nën urdhrat e Nagelsmanit. Sadi e Matijs kanë një mendësi të jashtëzakonshme, e cila do të shkrihet me atë të emrave të tjerë të mëdhenj të kemi në skuadër. Bajerni nuk ka nevojë vetëm që të ruajë nivelin, por edhe të rritet. Titulli, Kupa, e sidomos Liga e Kampioneve janë objektiva të deklaruar.
Mendoni se mund t’i fitoni të gjitha?
Patjetër që po, pavarësisht se ky sezon do të jetë anormal pasi në mes është Kupa e Botës. Në dekadën e fundit rendimenti ynë ka qenë i nivelit të lartë, por asnjëri nuk ka përvojë në sezone me ndërprerje. Gjatë pandemisë vërtetë u ndalëm, por ishim të fokusuar të gjithë tek ecuria e sezonit, ndërsa sivjet lojtarët e kombëtareve do të mendojnë përpara kohe për Kupën e Botës. Nuk i dimë pasojat, por po mundohemi të mos gjendemi të papërgatitur.
Arena e Lajmit
Loading…