Një 39-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Sarandës, pasi akuzohet se ka thyer masën e arrestit shtëpiak dhe ka kryer vjedhje. Bëhet fjalë për shtetasin Andon Qurku, i njohur me pseudonimin “Lilo”. Qurku rezulton i dënuar për “prodhim dhe shitje narkotikësh”.
Aktualisht 39-vjeçari ishte “arrest në shtëpi” për disa vjedhje për të cilat ishte arrestuar në shtator 2021.
NJOFTIMI I POLICISE
Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë. Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”, dhe kreu 4 herë të tjera të njëjtën vepër penale, vihet në pranga 39-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas që thyente masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe kryente vjedhje, në zona të ndryshme të qytetit të Sarandës, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij.
Në vijim të veprimeve u bë ndalimi i shtetasit A. Q., 39 vjeç, banues në Sarandë.
Ky shtetas dyshohet se gjatë muajt dhjetor ka vjedhur: disa bizhuteri me vlerë në banesën e shtetases O. H., sende me vlerë në banesën e shtetasit A. Z., një shumë lekësh në dyqanin e shtetasit F. Zh. dhe orendi shtëpiake në banesën e shtetasit N. Ç.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Vjedhja”. Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.