Njëmbëdhjetë vjet te Juvja me një pauzë sezonale për shkak të ‘njollës’ milaniste. Pritjes së Leonardo Bonuçit i ka ardhur fundi e më në fund do të jetë kapiteni i Juventusit. Për këtë aspekt, por edhe shumë të tjerë, mbrojtësi ka dhënë një intervistë për “Sportmediaset”.
Turneu i parë me shiritin e kapiteni…
Ia dola më në fund. E kam interpretuar rolin gjithmonë brenda dhomave të zhveshjes, por tani jam dhe më i moshuari në skuadër e duhet të jem shembull. Bota ka ndryshuar në dy vitet e fundit, por krenaria për këto ngjyra mbetet e njëjta e do të luftojmë për t’i ngritur sa më lart.
Çfarë bën një kapiten i mirë?
Që të jem i tillë duhet të kem pas vetes një grup të fortë. Në këto ditë kam vërejtur te shokët dëshirën për të bërë gjëra të mëdha. Duhet të jemi të ashpër kur nevojitet, por edhe të buzëqeshim ndonjëherë. Klima e stërvitjes ka shumë ndikim tek ecuria e sezonit. Kielini më ka lënë një përgjegjësi të madhe, sepse në 20 vite karrierë ka qenë shembull si Bufoni apo edhe Del Piero. Xhorxho, ditën që vendosi largimin, më pati thënë: Tani dilja vetë mbanë.
Do t’ju mbështesin veteranë si Di Maria apo edhe Pogba…
Ata i shtojnë grupit përvojë dhe cilësi në çdo drejtim. Skuadra ka një përzierje të duhur mes të rinjve dhe ekspertëve. Di Maria është një driblues i frikshëm dhe megjithëse e dimë që do të bëjë diçka përsëri, nuk e ndalim dot. Ai është lojtari më i nënvlerësuar për cilësitë dhe karrierën që ka. Për mua është më i forti në Serinë A dhe patëm fat që zgjodhi Juven. Sa për Pogbanë, edhe ai e di se kjo Juve është një nivel më poshtë sesa ajo që pati lënë. Për rëndësinë që ka do të jetë në qendër të projektit, megjithatë i thashë që të mos na vijë më në stërvitje me vathë.
Ndërkohë, keni humbur një si De Ligti. U habitët nga largimi i tij?
Jo, sepse disa deklarata që pati bërë na kishin dhënë të kuptonim se nuk dëshironte të qëndronte. Ai ka qenë për tri vite pjesë e grupit që e ka ndihmuar të rritet dhe i uroj më të mirën, megjithatë ca komente mund t’i kishte shmangur. Kemi diskutuar për këtë aspekt dhe megjithëse Bajerni është klub i madh, nuk është e sigurt që do të fitojë gjithçka.
Çfarë dyshe do të jetë Bonuçi-Bremer?
Ka talent dhe të ardhmen përpara. Te Torino u rrit shumë dhe mendoj se ishte goditja më e mirë që mund të bënte klubit. Edhe Rugani ka cilësi, ndërkohë që Gati ka karakteristika që më kujtojnë veten dhe Kielinin. Sigurish duhet të përmirësohet, por ka përulësinë që nevojitet për t’u bërë një mbrojtës i besueshëm.
Alegri thotë që duhet të synonin titullin. Jeni dakord?
Me këtë fanellë nuk mund të mendosh ndryshe. Koha duhet të shërbejë për të kaluar nga një fitore në tjetrën e nuk mund të mbyllim të tjera sezone pa trofe. Skuadra është cilësore dhe kemi një armë si Vlahoviçi falë të cilit jemi në Champions sivjet.
Cili është sulmuesi më i fortë në Itali?
Mund të them se skuadra më e fortë është Interi sepse gjeti Lukakun, por edhe Dibala te Roma më ngjall kureshtje. Makthi im dihet, Zapata i Atalantës.
Pra, Interi është favoritja për kampionatin?
Milani do të ketë presionin e atyre që duhet të konfirmohen kampionë, por Interi është më e kompletuara nëse mban Shkriniarin. Nëse duhet të them një surprizë, atëherë zgjedh Lacion.
Dy botërore radhazi pa marrë pjesë. Vuajtët më shumë me Mançinin apo me Venturën?
Me Mançion sepse në kohën e Venturës kishte edhe gjëra të tjera që nuk shkonin. Pas Europianit vuajtja ishte më e madhe edhe sepse ishim në një grup kualifikues brenda mundësive tona. Mungojmë në Botëror për shkak të një goli.
Bën Zaniolo për një skuadër si Juvja?
Ka talent e potencial që mund t’i rriten nëse qëndron te Roma me Dibalën. Nëse na bashkohet do ta ndihmojmë, por te Juvja nuk mjafton të jesh thjesht një futbollist i mirë.
Çfarë raporti keni me Alegrin?
Shumë të drejtpërdrejtë. Kemi folur dhe e dimë çfarë gabimesh janë bërë në vitet e kaluara. Këto ditë e kam parë Alegrin shumë të etur për fitore.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – Arena e Lajmit
Loading…