Disfata e Mançester Sitit përballë Real Madrid mund të mos jetë një rastësi, por fryt i një mallkimi të mirëfilltë të shtriganëve afrikanë. Një mallkim që ka rrënjët te vendimi i Pep Guardiolës për të larguar nga Mançester Siti mesfushorin Jaja Ture, i cili dikur ishte lideri i kësaj skuadre dhe një nga futbollistët më të njohur të kontinentit afrikan.
Dmitri Seluk, menaxheri i ish-mesfushorit, deklaroi asokohe se i gjithë kontinenti do i vihej kundër teknikut. “Kur sulmohet një kampion si Jaja, sulmohet një kontinent i tërë. Dhe t’i japësh fund karrierës së Jaja Ture te Siti nuk është një gabim është një krim. Por kjo do të kthehet mbrapa si bumerang dhe Guardiola do të zbulojë se çfarë janë në gjendje të bëjnë shtriganët afrikanë. Kujtojini këto fjalë, Benfika vuan nga mallkimi i Bela Gutman, i cili e ndalon që të fitojë finalet europiane. Guardiola mund të ketë të gjithë paratë që dëshiron për merkaton, por do të thyejë rekordin negativ”, tha ai.
Dhe në fakt, edhe pse Guardiola ka pasur në dispozicion disa nga skuadrat më të forta në Europë në këto vite dhe shumë yje, nuk ia ka dalë të fitojë në arenën ndërkombëtare duke u ndalur te ai i vitit 2011, kur triumfoi për herë të dytë në Ligën e Kampioneve me Barcelonën.
Arena e Lajmit